Pa dyshim, sfida për NATO-n gjatë gjithë luftës në Ukrainë ka qenë se si t’i ofrojë mbështetje të mjaftueshme ushtarake Ukrainës për t’u mbrojtur, por pa u përfshirë vetë në konflikt.

Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia ose i përhapjes së konfliktit përtej kufijve të Ukrainës në një luftë më të gjerë është vazhdimisht në mendjet e liderëve perëndimorë dhe rreziku që një skenar i tillë të ndodhë është jashtëzakonisht i lartë. Vetë shefi i NATO-s Jens Stotelnberg thuajse në çdo dalje të tij publike ka theksuar se fokusi kryesor i aleancës mbetet që konflikti të mos përshkallëzohet më tej.

Por çfarë do ta detyronte organizatën më të fuqishme ushtarake në botë të përfshihej në luftë me Rusinë ?

Skenari i parë ka të bëjë me një raketë të furnizuar nga NATO, e cila lëshohet nga forcat ukrainase në Odesa dhe godet një anije luftarake ruse në det duke i shkaktuar vdekjen e afro 100 marinarëve.

Një numër i tillë viktimash në këto përmasa do të bënte që presidenti rus Vladimir Putin të përgjigjet. E dyta shkruan BBC është një sulm i mundshëm që mund të godasë një kolonë me pajisje ushtarake që kalon nga një vend i NATO-s, si p.sh. Polonia ose Sllovakia, për në Ukrainë.

Nëse do të kishte viktima në anën e kufirit të NATO-s, kjo potencialisht mund të nxiste nenin 5 të kushtetutës së NATO-s, pra që nëse një vend anëtar sulmohet e gjitha aleanca kundërpërgjigjet.

Dhe e fundit thotë media britanike është një shpërthim në një objekt industrial që rezulton në lëshimin e gazrave toksike. Ndërsa kjo tashmë ka ndodhur, nuk ka pasur asnjë vdekje të raportuar.

Por nëse do të rezultonte viktima të shumta dhe nëse zbulohet se është shkaktuar qëllimisht nga forcat ruse, atëherë aleanca do të jetë e detyruar të përgjigjet.