Boksieri shqiptar Florian Marku tregoi për “Shqipëria live” emocionet e ndeshjes para 10 mijë tifozëve në Newcastel, ku arriti të mbrojë titullin e tij në kategorinë IBF pasi mundi uellsianin Chris Jenkins. Marku, që tashmë është baba rrëfen se djali ishte ai që e motivoi dhe i dha forcë para përballjes me uellsianin. “Kur më nisi nusja foton e djalit para ndeshjes, ishte komplet ndryshe, nuk e kisha përjetuar ndonjëherë. Tani çdo gjë e bëj për të”.
Ai thotë se përveç kohës që kalon në stërvitje, përpiqet të qëndrojë sa më shumë me djalin, ndërsa shton se nuk do të donte që kur të rritej të ndiqte rrugën e tij. “Nuk do e doja. Boksi është një sport shumë i vështirë. Do shumë përkushtim, por do jetë zgjedhja e tij nëse e do, por unë nuk do të doja”.
3500 persona ishin të pranishëm në këtë përballje, një pjesë e mirë e të cilëve ishin shqiptarë dhe Florian marku nuk i zhgënjeu aspak bashkëkombasit e tij. Në dy raundet e para u pa që të dy boksierët ishin të kujdesshëm, ndërkohë që në raundin e tretë Marku pësoi një të çarë në vetull pas përplasjes me kundërshtarin e tij. Ishte pikërisht ky moment kur Marku vendosi të marrë frenat e duelit në dorë duke shtuar goditjet në drejtim të Jenkins dhe në raundin e katërt e hodhi në Knockout duke i dhënë fund kësaj ndeshjeje pas vetëm 10 minutash dhe entuziazmi i shqiptarëve të pranishëm në Utilita Arena ishte në nivelin më të lartë.