Teksa nuk na ndajnë shumë nga Kuvendi i 30 prillit të demokratëve, kreu i Grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj në një komunikim për mediat tha se fatin e tij politik e cakton ai vetë.
Kur u pyet nga gazetarët se cili do të jetë posti i tij pas 30 Prillit, Alibeaj tha se është në pritje të vendimit të gjykatës.
“Do t’ua heq kuriozitetin. Është e qartë për këdo sot që ka një PD, ka një statut të saj, ka organe të PD, kryesi, ka Këshill Kombëtar, ato që janë sot e gjithë ditën dhe do të jenë rregulla, institucionet e PD. S’ka dyzim. Atë që kam thënë kohë më parë, çështja është në gjykatë. të presim gjykatën. Kur gjykata flet, të tjerët heshtin. Kjo është e qartë. Fati im përcaktohet nga unë vet. Në çdo dimension. Nuk kam pse nxitoj. Procesi i zgjedhjes së presidentit është serioz. Ngutjen e shoh nga maxhoranca. Nuk e ka të drejtën, dhe legjitimitetin kjo maxhorancvë për të zgjedhur në mënyrë të njëanshme presidentin. Këto teatre që bën Rama, sikur do konsultime, ne nuk bëjmë në kurthin që meqë ai bën këtë gjë, ne të ikim me bisht ndër shalë. Do bëjmë procedura me standarde”, tha Alibeaj.