Çmimi i gazit ”fluturoi” në Evropë, pas qëndrimit të presidentit rus, Vladimir Putin për pagesën e furnizimeve me rubla, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon e pandërprerë.

Çmimet në Amsterdam ”kapërcyen” në 132 euro për MWh, me 4,8% rritje krahasuar me dje. Në Londër çmimi rritet me 3,05 sterlina për Mmbtu, thënë ndryshe 1,9%.

Ndërkohë, në një përpjekje për të luftuar rritjen e çmimit të naftës, të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar lirimin historik të naftës nga Rezerva Strategjike e Naftës e SHBA-së.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Joe Biden ka planifikuar të lirojë mesatarisht një milion fuçi naftë në ditë nga rezervat për gjashtë muajt e ardhshëm.

“Bota nuk ka parë kurrë një lirim të rezervave të naftës në normën prej një milion fuçi naftë në ditë për këtë kohëzgjatje”, tha Shtëpia e Bardhë.

“Ky lirim rekord do të sigurojë një sasi historike të furnizimit për të shërbyer si urë lidhëse deri në fund të vitit kur prodhimi vendas të rritet”, shtoi Shtëpia e Bardhë.