Faza e dytë e një bllokimi antiCovid-19 në Shangai ka hyrë në fuqi për 16 milionë banorë të tjerë të pjesës perëndimore të qytetit port kinez. Një shtetrrethim tashmë në fuqi në zonat lindore dhe jugore të qytetit prej 26 milionë banorësh u shtri sot edhe në zonat perëndimore. Deri të hënën, njerëzit lejohen të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për teste Covid-19. Një bllokim në pjesën lindore dhe jugore të Shangait do të përfundonte sot.
Sidoqoftë, autoritetet vendosën kufizime të reja të enjten vonë, me shtetrrethim që do të mbahet në zonat ku u zbuluan infeksione gjatë testimit masiv të kryer në ditët e fundit. Disa banorë të Shangait shprehën kritika ndaj masave të qeverisë. Edhe media shtetërore raportoi “vështirësi”, për shembull në furnizimin me ushqim dhe kujdes mjekësor. Një banor evropian i Shangait shprehu shqetësimin se bllokimi mund të zgjasë më shumë se e hëna.
”Ne ishim të paralajmëruar. Por, shumë dyqane ishin bosh në ditët e fundit”, tha ai.
Me ardhjen e variantit Omicron të koronavirusit, Kina po përjeton valën më të keqe të infeksioneve që nga fillimi i pandemisë dy vjet më parë. Qeveria po ndjek një strategji ”zero Covid-19”, e cila po vihet në provë nga nëntipi BA.2 i variantit Omicron. Të gjithë të infektuarit dërgohen në spital ose karantinë. Stadiumet dhe sallat e ekspozitave janë pajisur me shtretër.