Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka zhvilluar sot në ambientet e ambasadës së Shqipërisë në Athinë një takim më përfaqësuesit e disa shoqatave të komunitetit shqiptar që jeton e punon në Greqi. Çuçi vlerësoi punën e shoqatave duke i konsideruar si mjaft aktive në zgjidhjen e problemeve që hasin shqiptarët.
Ai theksoi se janë 300 shërbime që ofrohen online përmes e Albania për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. “Në ambasadën tonë në Athinë takova përfaqësuesit e disa shoqatave të komunitetit shqiptar që jeton e punon në Greqi. Janë grupime tejet aktive në adresimin e problemeve me të cilat ndeshen shqiptarët. Komunikimi i shpeshtë krijon premisa për të identifikuar çështjet që duhen adresuar për zgjidhje tek autoritetet greke, por edhe tek shteti amë, qofshin ato çështje të mbartura nga e kaluara apo të krijuara së fundi. Mes rreth 300 shërbimeve që ne ofrojmë online përmes eAlbania përfitojnë gjithashtu edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Sidoqoftë ka ende probleme për të cilat ne po bashkërendojnë punën me palën greke për t’i rregulluar”, u shpreh ai.
Po ashtu, Çuçi vuri theksin te mundësia e emigrantëve me të drejtë vote. “Dhe sigurisht që nuk do të rreshtim së kërkuari konsensusin brenda vendit tonë me opozitën, për t’i mundësuar më në fund emigrantëve të drejtën e votës aty nga ku banojnë. Për kaq shumë sa ata kontribuojnë e kanë dhënë ndër vite për Shqipërinë, kemi detyrimin e përbashkët e të vazhdueshëm për t’iu gjendur pranë”, u shpreh Çuçi.