Ditmir Bushati në kongresin e PS theksoi vlerën që ka marrëdhënia midis qeverisë dhe opozitës në zhvillimin e një vendi, duke theksuar se ‘kompromisi’ në vendet që interesin kryesor e kanë të ecin përpara “nuk ka përse të jetë një fjalë e ndryrë”.
“Përgjegjësia e fitores së herës së tretë e vë qeverinë në përgjegjësinë e pashmangshme për të tejkaluar në rrafshin personal si qytetar, në atë publik si socialist dhe si forcë politike në qeverisje”, tha Ditmir Bushati.
“Jemi dëshmitarë sesi bota ka pësuar ndryshime të mëdha gjatë dekatës së fundit, vendosja në sprovë e politikave tradicionale, krizat financiare dhe ato të sigurisë, pandemia dhe veçanërisht agresioni rus ndaj Ukrainës, kanë ndryshuar natyrën e jetës dhe për rrjedhojë edhe konceptimin e të ardhmes.
Partia Socialiste ku identiteti politik dhe besimit te vlerat e lirisë dhe drejtësisë janë të trupëzuara në të gjitha nivelet. Si forca që drejton vendin në mandatin e tretë rradhazi ne duhet të mos bien në kurthin e vetëkënaqësisë” shtoi ai.
Duke iu referuar opozitës së tanishme që është në konflikt të brendshëm, Bushati theksoi se kjo situatë ka vite që bëhet pengesë për pozicionin e vendit në rajon dhe në rrugën drejt anëtarësimit për në Bashkimin Europian.
“Situata e pazakontë që po përjeton opozita duhet të na shqetësojë sepse jeta politike në një republikë parlamentare pa patur alternativë kundrejt shumicës. Unë kam bindjen se Shqipëria do të ishte në pararoje krahas vendeve në proces të anëtarësimit në Bashkimin Europian nëse do të kishim krijuar kushtet për një klimë më përbashkuese në këto tre dekada.
Me opozitën nuk kemi nevojë të jemi të ndarë, por të ndryshëm” theksoi Bushati.