Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane & Euroaziatike Karen Donfried, ka mbarritur në Tiranë ku takimin e parë e ka zhvilluar me të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, ambasadoren Yuri Kim dhe Komisionerin Europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi.
Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada amerikane me anë të një postimi në ‘Twitter’ ku njoftoi se palët u takuan për të diskutuar mbi prioritetin e përbashkët të integrimit të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Ndihmës Sekretarja Donfried rikonfirmoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe tha se SHBA mbetet e angazhuar për të punuar me partnerët shqiptarë dhe të BE-së për të siguruar reformën në drejtësi në Shqipëri dhe rrugën e suksesshme drejt Bashkimit Europian.
“Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar mbërritën sot në Shqipëri dhe u takuan me Komisionerin Europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Ata ranë dakord se pushtimi i pajustifikuar i Ukrainës nga Rusia e ka bërë integrimin edhe më urgjent. Ata diskutuan mbi prioritetin e përbashkët të integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian dhe Ndihmës Sekretarja Donfried rikonfirmoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe tha se SHBA mbetet e angazhuar për të punuar me partnerët shqiptarë dhe të BE-së për të siguruar reformën në drejtësi në Shqipëri dhe rrugën e suksesshme drejt Bashkimit Europian.”