Një muaj pas eliminimit të Paris Saint-Germain nga Liga e Kampionëve, ish-portieri i Milanit, Gigio Donnarumma dha një intervistë për televizionin zyrtar të klubit transalpine. Aty foli për atë ndjenjë hidhërimi që mundi ta tregonte vetëm përmes rrjeteve sociale.

Lidhur me disfatën ndaj Real Madridit në 16oshte, portieri italian shpjegoi: “Ishte shumë e vështirë. Ne i kuptojmë pakënaqësinë e tifozëve, por e dimë gjithashtu që për fat të keq futbolli është i tillë.

Në këtë ekip ka vetëm lojtarë të mëdhenj. Të gjithë jemi të trishtuar për Champions League, por duhet të shikojmë edhe nga e ardhmja dhe të punojmë shumë për të fituar kampionatin për tifozët tanë”.

Portieri i PSG-së argumenton se sekreti i suksesit është të kesh një ekip që është gjithmonë i bashkuar dhe me synime të përbashkëta. Tani për tani, objektivi i skuadrës është arritja e titullit të dhjetë.

Pavarësisht se është lider, 8 ndeshje nga fundi, me +12 pikë ndaj Marseille (në vendin e dytë), PSG është ende duke luftuar për ta garantuar matematikisht vendin e parë: “Do të ishte titulli i dhjetë në historinë e këtij klubi, është shumë e rëndësishme për ne ta fitojmë atë.

Janë tetë ndeshje vendimtare dhe duhet t’i marrim shumë seriozisht. Do të jetë një betejë deri në fund, por ne duhet të japim gjithçka”.