Pranvera Fagu, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Biznesit tha në prezantimin e saj, gjatë konferencës së digjitalizimit se QKB ka 179 shërbime online.

“Jemi këtu pas dy vitesh që kemi filluar të ecim në këtë rrugëtim të revolucionit digjital. E filluam duke inkurajuar bizneset për të aplikuar online dhe që nga 1 janari 2020, duke ofruar 120 shërbime online dhe pas 30 prillit të gjitha shërbimet, 179 shërbime që ofron QKB falë punës së AKSHI-t do të ofrohen vetëm online” deklaroi Fagu.

“Më datë 30 prill sportelet e QKB do jenë të mbyllura në të gjithë territorin e vendit, por kjo do të thotë që ne do të jemi më afër me biznesin për ta mbështetur atë. Kjo mbështetje do të jetë vetëm një klik larg,” shtoi Drejtoresha e QKB.

Në mbyllje ajo i bëri thirrje bizneseve të pajisern me nënshkrim elektronik, duke shtuar se mbështetja e institucionit që ajo drejton për bizneset do të jetë më e madhe nëpërmjet shërbimeve online.

“Ne përsëri do të jemi aty, por jo më në një sportel, por pas tij për të garantuar të bërit biznes, që komoditeti të ndihet të kudo dhe kurdo, duke shfrytëzuar këtë moment, më lejoni t’i drejtohem me një mesazh të gjithë subjekteve aplikuese, që të përfitoni të gjitha lehtësitë e shërbimit online, lutem pajisuni me nënshkrim elektronik. Pajisja me nënshkrim elektronik do t’ju mundësojë të përfitoni të gjitha shërbimet nga zyrat apo telefonat tuaj,” përfundoi Fagu.