Nga Ylli Pata/ Sali Berisha po përdor si argument për luftën e tij me SHBA-në, teorinë e “dy Amerikave”. Në foltoret e improvizuara me mbështetës të tij në rrethe, Berisha ka deklaruar se ka sy Amerika: njëra demokrate që e ka kundër, e këtu fut “tezën Soros” e tjetra republikanë që është pro tij. Ndërkaq, mbështetës të Berishës, si Evi Kokalari thonë që sa të vijë Trumpi për herë të dytë në Shtëpinë e Bardhë, do t’ja heqë njollën ish-kryeministrit.

Por, në Shqipëri, seria e ndërshkimeve të rënda nga DASH sipas 1731(C), pra për “korrupsion domethënës”, nuk ka nisur nga “Amerika demokrate”, por nga ajo “republikane”, madje radikale fare. Vitet ikin, bota ndryshon e rrjedh me shpejtësi me ngjarje zhvillime, e natyrisht edhe me figura politike.

Vetëm këtu tek ne uji i ndenjur i kënetës mban fort jo vetëm peshq e gjitarë uji, por edhe fosile që realisht janë dekompozuar, por ka ende që këtë nuk duan ta shohin.

Ishte i pari sekretari i Shtetit Rex Tillerson, i cili firmosi non gratën për ish-prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për korrupsion domethënës. Jemi në vitin e dytë të presidencës Trump, të cilin Berisha e Meta e shpallën në vitin 2017 si aleat në zgjedhjet palamentare të atij viti.

Ndërsa Sali Berisha dhe Ilir Meta e mbrojtën Llallën, pas akuzave që ju bënë nga ambasadori i SHBA-së, Donald Lu për pengim të reformës në drejtësi, e kur ju ndërpre viza që kishte marrë për të vizituar SHBA. Me shpalljen Non Grata, Berisha edhe Meta nuk bënë komente direkte, por mediat pranë tyre e cilësuan “hero” të parin zyrtar të lartë shqiptar të ndëshkuar nga qeveria e SHBA-së.

Vetë Llalla loboi në Kongres e Senat të SHBA, duke përdorur kanalet e përdorura nga lidhjet e aleatëve të tij në politikë. Madje shkroi edhe një letër në Senat, ku e akuzoi ambasadorin e atëhershëm Donald Lu se po hakmerrej ndaj tij, pasi ai nuk pranoi të tërhiqej nga një hetim, e nuk pranoi të arrestojë Ilir Metën siç “i paskërka kërkuar ambasadori”.

Normalisht e gjithë kjo përpjekje shkoi për bojë, e Adriatik Llalla u mor i pandehur e u dënua për abuzim me detyrën. Sot është arratisur nga vendi për t’ju fshehur kryerjes së dënimit të formës së prerë.

Më 16 prill 2018, me anë të një deklaratë zyrtare Departamenti i Shtetit i SHBA, bëri të ditur se është shpallur non grata Tom Doshi, deputet, për “korrupsion domethënës dhe shkelje të të drejtave të njeriut”.

Kur Doshi u shpall non grata, Rex Tillerson kishte dhënë dorëheqjen, ndërkohë Mike Pompeo u emërua 10 ditë më vonë, më 26 prill. Vendimi, duket është marrë nga numri dy i DASH që ka shërbyer si sekretar në detyrë.

Më 30 korrik 2019, Sekretari i Shtetit të SHBA, Mike Pompeo, shpalli non grata ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, pak ditë pasi dorëzoi zyrtarisht detyrën. Deri në këtë kohë, jemi në administratën e presidentit republikan Donald Trump.

Dy vjet më vonë, përkatësisht më 19 maj 2021, sekretari i Shtetit Antony Blinken shpalli non grata- Sali Berishën e familjen e tij, për: “Korrupsion domethënës, minim të demokracisë dhe pengim të drejtësisë”. Tashmë, prej 4 muajsh në Shtëpinë e Bardhë është presidenti Joe Biden, i zgjedhur nga Partia Demokrate e SHBA-së.

Pra, shikohet qartë se nuk kemi të bëjmë as me politikë specifike e një administrate apo partie, por me një praktikë institucionale që ka pasur vazhdimësi të pandaltë. Asnjë nga këto raste nuk është kthyer, ridiskutuar apo rishqyrtuar.

Ka pasur vetëm një seancë pyetjesh të kongresmenti republikan Lee Zeldin, me sekretarin e Shtetit, Blinken për Sali Berishën. Zeldin, i zgjedhur në Nju Jork, ku ka si elektorat një numër të konsiderueshëm shqiptarësh, interesimi ka ardhur nga lobe pro Berishës brenda diasporës.

Blinken, ka siguruar kongresmenin, se nëse paraqitet në zyrën e Legjislacionit të DASH, aim und të marrë Çdo informacion të nevojshëm, në lidhje me aferat për të cilat Sali Berisha është i përfshirë.

Pra kemi të bëjmë krejt qartësisht me një process gjithëpërfshirës, serioz dhe të rëndësishëm.

Presidenti Joe Biden, në qershorin e vitit të shkuar firmosi Urdhrin Ekzekutiv që detyron Departamentin e Thesarit që të bllokojnë pasurinë e zyrtarëve, personave apo kompanive, që kërcënojnë stabilitetin, paqen dhe demokracinë në Ballkanin Perëndimor.

Aksioni ka ardhur duke u përshkallëzuar, e nuk është ndalur asnjë minutë, ndaj hiperbolat e Berishës alla “Përralla të Moçme Shqiptare” se ka pasur 15 kërkesa lobimi për t’i hequr njollën, ngjajnë tashmë si një retorikë që nuk ngjit as te militanti më i vendosur. Tjetër gjë është se Berisha, i ka bindur besnikët e tij se SHBA ja kanë me hile, dhe ata të gjithë i kanë shpallur luftë.

Se natyrshëm lind pyetja: Përse kanë qenë 15 ofertat, e jo 10 apo 9, siÇ kanë qenë plagët e Gjergj Elez Alisë, apo vitet që Gjergji ka qëndruar në shtrat nën kujdesin e së motrës?

Kjo lojë kungulleshke mund të vazhdojë gjatë, siÇ po vazhdojnë fallet e bastet në transmetim live në panelet e darkës se “në përgjim është kapur një politikan me pseudonimin matematiku”, e që SHBA do të ndëshkojë kaq e aq politikanë të tjerë në të ardhmen.

I vetmi zhvillim që ja vlente të komentohej dje ishte pse Berisha dhe deputetët pro tij nuk u prononcuan për sanksionet ndaj Aqif Rakipit dhe Ylli Ndroqit, e Ç’lidhje ka 6 marsi, po askush nuk e bëri….

TemA