Kanë kaluar disa javë që kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës. Ajo që dukej si një fitore e lehtë për ushtrinë e Moskës po kthehet në një luftë rrënimi, me trupat e Kievit duke u mbrojtur deri në fund të hidhur dhe ditët e fundit madje kanë rimarrë pjesë të territorit. Ka shumë sportistë ukrainas që kanë vendosur të dalin në fushë për të mbrojtur kombin e tyre. Mes tyre janë edhe tenistët Sergiy Stakhovsky dhe Alexandr Dolgopolov, të cilët kanë treguar për Cronache di Spogliatio se si nuk kanë hezituar as për asnjë sekondë të kthehen në vendlindje për t’u regjistruar.

Përveç tyre, ka edhe një ish-Topin e Artë mes atyre që vendosën të dilnin në terren për të mbrojtur Ukrainën: është Igor Belanov (foto lart majtas), i cili fitoi çmimin e lakmuar në vitin 1986. Ish-sulmuesi i Dynamo Kievit ka lindur në Odessa, e cila ka qenë e rrethuar nga ushtria ruse ditët e fundit. Qyteti është kaq i rëndësishëm sepse kontrollon hyrjen në Detin e Zi dhe porti i tij është mushkëria ekonomike e Ukrainës përmes së cilës kalon tregtia me Evropën dhe Azinë.


Belanov fitoi atë edicion të Topit të Artë duke mposhtur Gary Lineker dhe Emilio Butragueno, të cilët dolën respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë në renditje, ndërsa përfaqësonte një ekip kombëtar, atë të Bashkimit Sovjetik, të eliminuar në raundin e dytë të Kupës së Botës në Meksika ’86.

Në ato ditë, çmimi rezervohej vetëm për futbollistët evropianë, ndaj dhe Diego Armando Maradona, i cili po e çonte Argjentinën në majat e botës, ishte jashtë loje. Sot, 36 vjet pas atij Topi të Artë që shkaktoi kaq shumë diskutime, Belanov doli sërish në fushë për të mbrojtur ngjyrat e tij. Që nuk janë më ato të BRSS, që u shpërbë në 1991, por të Ukrainës së dashur.