Enkelejd Alibeaj ka komentuar mbledhjen e kësaj të enjteje të grupit parlamentar, para nisjes së seancës në parlament.

“Në mbledhjen e grupit ka gjithmonë zhurmë, pasi vjen zoti Berisha, pa asnjë lloj roli, jep opinionin e tij, është influent për qëndrimin e grupit”, tha ai.

Më tej, ai foli për zgjedhjen e presidentit, duke thënë se duhet “grisur fasada me zarfe e Ramës”.

“Procesi i zgjedhjes së presidentit është i rëndësishëm, pavarësisht rolit, kompetencave dhe marrëveshjes së 2008, Berisha-Rama që degradon në raundin e katërt dhe të pestë me 71 vota.

Opinioni im është i qartë: Edi Rama nuk e ka të drejtën të zgjedhë presidentin se nuk i ka 84 vota, por as me shumicën e thjeshtë nuk e ka, sepse 74 vota mori nga masakra elektorale, por 4 deputetë të tij nuk përfaqësojnë më zërin e qytetarëve, dy janë pas qelisë, dy janë dizenjuar non grata.

Kemi dy rrugë, ose me bishtin ndër shalë të shmangemi. Kjo nuk funksionon dhe prandaj duhet të përballemi dhe jo duke ikur, por duke ia grisur fasadën me zarfe apo shoqëri civile”, tha Alibeaj.