Nëse në Premier League lufta për titullin po bëhet mes Manchester City-t të Pep Guardiola-s dhe Liverpool-it të Jurgen Klopp, sfida për vendin e katërt, duke marrë parasysh se Chelsea është në kontroll të vendit të tretë, është shumë më e luftuar.
Për pozicionin që garanton biletëne fundit për një vend në edicionin e ardhshëm të Champion League janë në garë Tottenham, Arsenal, West Ham dhe Manchester United. Favoritët janë Topçinjtë, që kanë edhe dy ndeshje për të rikuperuar, por edhe Spurs-at janë kandidatë seriozë, veçanërisht pas fitores 5-1 të marrë kundër Newcastle.

Një ndeshje në të cilën ka qenë Harry Kane lojtari që ka shkëlqyer më shumë se të tjerët.

MARADONA – E bukura është se anglezi nuk ka shënuar si në ndeshjen e mëparshme. Por mënyra e re e lojës së tij, që ndihmon në lidhjen e mesfushës me sulmin, dhe numri i asisteve (tre në dy ndeshjet e fundit të Premier) po i mahnit të gjithë, duke nisur nga ish-ylli i Spurs-ave, David Ginola.

Francezi i ka thurur elozhe sulmuesit duke bërë edhe një krahasim të rëndësishëm dhe të papritur…

“Organizatori i ri i Tottenham është Harry Kane. Aktualisht është si Maradona i ri: pasime të shkurtra, pasime të gjata, di të bëjë gjithçka”, ka thënë Ginola në një intervistë të dhënë për Sky Sports.

LARGIMI – Megjithatë, kjo formë shumë e mirë dhe mënyra e re e lojës mund të jenë një problem për Conte-n dhe për Tottenham-in. Siç ka shpjeguar Ginola, është e vështirë të mbahet një lojtar i këtij niveli në një skuadër që nuk lufton për të fituar diçka.

“Për një lojtar të tillë nuk mjafton të luftojë çdo vit për vendin e katërt. Dhe nëse do të ketë oferta nga klube që luftojnë për të fituar trofe, ndoshta mund edhe të ikë. Në fund të karrierës shikon sa trofe ke fituar”, ka përfunduar Ginola.