Teksa të gjitha vendet e botës po vuajnë pasojat ekonomike të agresionit rus kundër Ukrainës, në shumë nga vendet e Europës perëndimore norma vjetore e inflacionit është përshpejtuar në një masë të madhe, duke kapur nivele të cilat nuk i kishin kapur që në mesin e viteve ‘80.
Në Francë, norma vjetore e inflacionit arriti në 4.5% në mars, më e larta që nga dhjetori i vitit 1985, duke tejkaluar parashikimet e tregut prej 4.3%. Presioni më i madh në rritje vijon të vijë nga kostoja e energjisë e cila është rritur në 28.9% muajin e shkuar, krahasuar me 21.1% në shkurt. Nga ana tjetër, edhe çmimet e konsumit u rritën me 1.4% në baza mujore, norma më e lartë mujore ndonjëherë.
Ndërsa në Spanjë, norma e inflacionit vjetor kapërceu me 9.8% krahasuar me një vit më parë, ndërsa në muajin shkurt ishte 7.6%. Kjo ishte norma më e lartë që nga maji 1985, për shkak të rritjeve të përgjithësuara në çmimet e shumicës, në veçanti të energjisë elektrike, karburantit dhe ushqimit dhe pijeve.
Italia po ashtu ka pësuar goditje në ekonomi teksa, inflacioni arriti në 5.7% në shkurt, nga 4.8% e janarit, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, ndërsa çmimet e konsumit u rritën me 0.92% në shkurt krahasuar me një muaj më parë, pas rritjes prej 1.59% të shënuar në janar. Norma e inflacionit në Itali në muajin shkurt shënoi nivelin më të lartë të inflacionit që nga gushti i vitit 1995.
Edhe në pjesën tjetër të Europës, në lindje ashtu si në perëndim inflacioni ka arritur nivele shumë të larta. Në Hungari, inflacioni u rrit në 8.5% në mars, krahasuar me 8.3% në shkurt, duke shënuar normën më të lartë që nga qershori i vitit 2007.
Bashkimit Europian në tërësi, si pasojë e gjendjes së luftës mes Ukrainës dhe Rusisë do t’i duhet të thithë një fluks të madh refugjatësh, si dhe njëkohësisht të përballet me pasiguri dramatike në lidhje me furnizimet me energji dhe çmime.
Parashikimet e ekspertëve thonë se në vijim gjendja mund të përkeqësohet dhe të zgjasë edhe përtej vitit 2022.