Një lajm i ricikluar i një viti më parë, në lidhje me një incident gjatë fluturimit të Kryeministrit Edi Rama është shpërndarë me shpejtësi në portale si lajm i fundit. Por në fakt e vërteta është krejt ndryshe. Drejtori i Agjencisë për Media dhe Informim, Endri Fuga ka qartësuar menjëherë se bëhet fjalë për një lajm të dhjetorit të vitit të shkuar dhe madje situata nuk ka qenë fare e tillë, por incidenti u shkaktua nga një pjesëtar i ekuipazhit e për të ka kërkuar menjëherë ndjesë kompania “Lufthansa”.

“Lajm i vjetër, për një incident që në thelb nuk kishte vendosjen e maskës, por sjelljen e pahijshme të njërit prej anëtarëve të ekuipazhit. Ndjesa e kompanisë u pranua që atë ditë,” shkruan në Tëitter Endri Fuga Drejtori i Agjencisë për Media dhe Informim.

Ja çfarë shkruan në shkresën ku kërkon ndjesë për këtë incident kompania Lufthansa:

“Shkëlqesia e Tij Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Z. Edi Rama Zyra e Kryeministrit Tiranë Republika e Shqipërisë

Shkëlqesi,

në emër të Lufthansa German Airlines, kërkojmë ndjesë që ju dhe familja juaj jeni larguar nga fluturimi LH442 i Lufthansa nga Frankfurt në Detroit më 3 dhjetor 2021 dhe na vjen thellësisht keq për çdo shqetësim që ju ka shkaktuar. Ne ju kërkojmë ndjesë veçanërisht juve dhe familjes suaj, nëse sjellja e disa anëtarëve të ekuipazhit u perceptua si e papërshtatshme dhe nuk u trajtua me ndjeshmërinë dhe maturinë e nevojshme.”