Filloi të mërkurën në mëngjes. Trashëgimia mund të mposhtë rekordin e fanellës së Babe Ruth, teksa dyshimet e ngritura nga familja “Pibe de Oro” mbeten në plan të dytë. Gjithçka është gati për ankandin e shumëpritur që do të shpërblejë fanellën e “Mano de Dios”.
Nga mëngjesi i së mërkurës deri më 4 maj, zyra në Londër e “Sotheby’s” do të shesë online uniformën e veshur nga Diego Armando Maradona në ndeshjen mes Argjentinës dhe Anglisë, në çerekfinalet e Kupës së Botës 1986. Priten oferta rekord. Kjo është fanella që “Dora e Zotit” veshi kur shënoi dy gola legjendarë: njëri i realizuar me dorë, duke mashtruar arbitrin Bennacer, tjetri në fund të një aksioni personal të papërmbajtshëm dhe i konsideruar si “goli i shekullit”.
Ekspertët e “Sotheby’s” e kanë vlerësuar kufirin e shitjes midis 4.8 dhe 7.2 milionë euro, por ofertat mund të rriten. Trashëgimia mund të thyejë rekordin e mbajtur nga fanella e ikonës së bejsbollit Babe Ruth, e blerë për 5.2 milionë euro në vitin 2019.
Në sfondin e ngjarjes mbetet një “karton i verdhë” që u shfaq javët e fundit. Sipas vajzës së Diego-s, Dalma Maradona, fanella e nxjerrë në ankand nga “Sotheby’s”, e cila ishte në pronësi të ish-mesfushorit anglez Steve Hodge, nuk është ajo që vishte babai i saj në pjesën e dytë, kur shënoi dy golat, por në të parën:
“Ajo në ankand nuk është fanella që ai përdori në pjesën e dytë, kur shënoi golat. Është nga ajo ndeshje, por babai im e ka veshur në pjesën e parë. Nga njohja e babait tim e di se nuk ia ka dhuruar askujt atë fanellë. Nuk dua të them se kush e ka atë, nuk dua t’i krijoj probleme këtij personi. Megjithatë, mund të them që fanella e babait tim, me të cilën shënoi golat, nuk del në ankand. Po fitojnë para me diçka që nuk është e tyre, është turp”. Shtëpia e ankandeve, natyrisht, gjithmonë e ka mohuar këtë version dhe pas kontrolleve të mëtejshme ka konfirmuar se kjo është fanella me të cilën është realizuar ai dygolësh legjendar.