Alvaro Morata është larg të qenurit ai që pritej në Torino në këtë aventurë të dytë, por sulmuesi spanjoll nuk dorëzohet. Edhe pse flitet shumë se në fund Juventus do vendosë ta rikthejë te Atletico vetë 29-vjeçari shprehet më shumë se qartësisht se dëshira e tij është të qëndrojë në Torino. Madje ai ka shpërfillur pyetjen nëse Arsenal dhe Atletico kanë bërë një marrëveshje 2-vjeçare për të.

“Të mos bëjmë gjithmonë të njëjtën pyetje… Të paktën për mua, e kam thënë dhe rithënë, dua të qëndroj te Juventusi pasi ndihem si Zot. Sigurisht që nuk jam unë ai që vendos lidhur me çështjet kontraktuale, por jo vetëm unë jam juventin në shpirt, por edhe fëmijët e mi, të cilët sa herë që shëtisim me makinë në Torino më kërkojnë që të vendos himnin e Juventusit, pasi edhe ata ndihen të lumtur si unë.

Arsenali ka gati një kontratë për mua? E ritheksoj se nuk di asgjë për këtë. Personalisht po punoj që të bind drejtuesit të më shlyejnë nga Atletiko.

Këtu te Juvja e ardhmja luhet në çdo stërvitje që bën, në çdo ndeshje, pasi e vërteta është se lista e atyre që do të donin të ishin këtu në vendin tim është shumë e gjatë, por më takon mua që ta shkurtoj atë të sulmuesve të paktën, pasi nuk dua të lëviz që këtu.

E adhuroj këtë skuadër, këtë grup shokësh dhe sidomos tifozërinë tonë. Gjithsesi, se çfarë do të ndodhë me mua këtë e vendosin të tjerë, prandaj e vetmja gjë që më takon mua është të bëj maksimumin deri në fund.

Sigurisht që nuk jam aspak i lumtur me çfarë kemi bërë deri tani, por të paktën dua të fitoj Kupën e Italisë, ngushëllimi i vetëm që na ka mbetur, – vazhdon Morata, i cili mbi pengjet e aventurës së parë, ka finalen e Champions-it në vitin 2015.

– Në Berlin kundër një Barcelone fantastike bëmë një nga ndeshjet që nuk do ta harroj kurrë. Madje, pas golit tim mendoj se nëse do të kishte pasur VAR në atë periudhë, ishte një penallti për ne, e cila nuk u akordua. Ai episod (kontakt Alvesh-Pogba) do të na kishte dhuruar Champions-in me Juven, por futbolli jo gjithmonë është i drejtë. Shoku më i fortë i repartit që kam pasur në Torino? Pa dyshim, Karlitos Tevez.

Kur na erdhi për vizitë te Juvja këto ditë ndjeva shumë emocione, pasi m’u kujtua gjithçka që kishim kaluar bashkë.

Dhe të mendosh se nuk e kishim nisur aspak mirë, duke qenë se në daljet e para, sa herë që nuk i pasoja topin më shihte me një hije kërcënuese.

Por me kalimin e kohës e njohëm njëri-tjetrin me sy mbyllur dhe mendoj se falë tij u bëra një sulmues më i zoti, pasi ‘Apashi’ ishte nga ata që realisht i fitonte ndeshjet vetëm. Ka pak sulmues që karikojnë të gjithë skuadrën mbi shpatulla dhe e çojnë te suksesi”, tha Morata.