Është dita e 55- të e luftës dhe tashmë ofensiva e trupave ruse kundër Ukrainës lindore ka filluar.

Alarmi u ngrit nga presidenti Volodymyr Zelensky, i cili tha se tani mund të themi se trupat ruse kanë filluar betejën për Donbas, për të cilën janë përgatitur prej disa kohësh dhe se një pjesë e madhe e ushtrisë ruse tani i është përkushtuar kësaj ofensive.

Ndërsa sipas analistëve, ky është fillimi i fazës së dytë të luftës.

Ndërkohë bombardime ka pasur në Lviv, Kharkiv dhe Dnipro ndërsa Mariupolit është kthyer në një grumbull rrënojash dhe civilët e bllokuar në qytet janë të rraskapitur.

Por zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, ka thënë se qyteti i Mariupolit nuk ka rënë dhe se ukrainasit po rezistojnë.

Më tej sipas një zyrtari të lartë të administratës, zyrtarët e Departamentit të Shtetit të SHBA-së po shikojnë çdo mjet në dispozicion për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për luftën në Ukrainë, duke përfshirë mundësinë e etiketimit të Rusisë si një sponsor shtetëror i terrorizmit. Procesi mund të zgjasë disa javë përpara se të merret një vendim, tha zyrtari.

Zyrtarët në Ukrainën lindore kanë raportuar tetë të tjerë të vdekur civilë të hënën.

Katër persona u vranë nga bombardimet ruse në zonën e Donetskut, shkroi guvernatori i rajonit në Telegram.

Dhe të paktën katër të tjerë u vranë pasi qyteti i Kreminës ra në duart e armikut gjatë natës, sipas kreut të rajonit të Luhansk.

Të dy rajonet formojnë Donbasin e Ukrainës, ku presidenti Zelensky thotë se një betejë e madhe për kontroll është duke u zhvilluar.

Më herët sot, u raportuan se shtatë persona u vranë gjithashtu nga sulmet e reja me raketa në qytetin perëndimor të Lviv, dhe dy të tjerë në Kharkiv në veri.