Nga Dritan Hila/

Ka diçka qesharake dhe provinciale në gjithë sulmet që i bëhen Ambasadores së SHBA, Yuri Kim.

E sulmojnë tek emri i saj, në origjinën e saj dhe në gjithë sjelljen e saj. Quajnë humbjen e Bashës më 6 mars si humbje të saj dhe të SHBA-ve, e cilësojnë si paaftësi që vunë bast në kalin e gabuar.

Në fakt, nëse ka një fitues të zgjedhjeve të 6 marsit, kjo është Ambasada e SHBA. Qëllimi i tyre nuk ishte që të fitonte Basha. Basha atyre ju intereson aq sa të mos lenë vendin pa opozitë. Por nëse Basha humbi, durim. Dielli lindi përsëri, dhe Berisha ende këndon majë plehut. Gjithashtu ata kanë një qeveri mike në Tiranë e cila nuk ka asnjë pikë vullneti ti dalë kundra dëshirave të tyre.

Nëse Yuri Kim si përfaqësuese e SHBA kishte një qëllim, ai ishte defaktorizimi i dyshes Berisha&Meta. Dhe ja doli me sukses. Kjo dyshe sot ka më pak se 30% të votuesve shqiptarë.

Berisha po përpiqet ta paraqesë këtë si fitore. Ai u mobilizua në këtë betejë personalisht dhe financiarisht. Ju kërkoi ndihmë oligarkëve që i krijoi vetë dhe këta nuk nguruan të hidhnin para. U angazhuan aq shumë saqë vetë ambasada ju tërhoqi vërejtje duke ju kujtuar se personi në fjalë është kundërshtar i SHBA. Nuk do të jetë çudi që në të ardhmen, nëse vazhdojnë mbështetjen për Berishën, edhe këta të jenë pjesë e sanksioneve.

E megjithatë Berish&Meta humbën. Pavarësisht të gjithë mobilizimit të tyre, vetëm 30% janë shqiptarët dhe klientët e tyre që i mbështesin. Në të ardhmen ditë më të zeza vijnë. Kush i mbështet për nostalgji, do ta kuptojë se nuk kanë të ardhme. Kush iu jep para, bën mirë të harrojë zakonin e vjetër që një thes me miell ta japin për partizanët dhe një tjetër për ballistët.

Sa për Yuri Kim, nëse nuk e çojnë në një post tjetër diplomatik, do gëzojë një post tjetër në qendër. Për më tepër që është një diplomate e suksesshme pasi në opozitën shqiptare veçoi elementët që i prishnin punë vendit të saj dhe ka një qeveri e cila e shumta bën ndonjë batutë për të treguar që deri këtu është e pavaruar. Halli është i njërit që ka marrë një damkë që nuk e kanë zili as hajdutët e burgut të Peqinit dhe të tjetrit që pi nga frika se mos një ditë bëhet klient i këtij burgu. /dritare.net/