Ish-kryeministri Sali Berisha duket se po përgatitet terren për të katapultuar Ilir Metën në krye të Partisë Demorkatike dhe për rrjedhojë edhe në krye të opozitës, shkruan gazeta Sot. Prej disa ditësh në degë të ndryshme të vendit kanë nisur zgjedhjet për kryetarin e ri, ndërkohë që bie në sy në disa prej tyre “Foltorja” ka zgjedhur për kryetar persona që vijnë nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Këtë alarm fillimisht e ka ngritur PD-ja zyrtare e drejtuar nga kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj. Më konkretisht në faqen zyrtare të Partisë Demokratike, në Facebook, është postuar një status për zgjedhjet që po zhvillohen brenda partisë në qarkun e Beratit, teksa akuzohet Grupi i Rithemelimit se po ndërmerr një proces përjashtues ndaj demokratëve që kishin kontribuar për vite brenda partisë dhe se në vendin e tyre po zgjidheshin ish- funksionarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Berisha po përgatit terrin për t’ia dhuruar partinë Metës

Ndërkohë gazeta ka mësuar të tjera detaje nga zgjedhjet në degët e PD, ku tregohet qartë se Sali Berisha po përgatit terrin për t’ia dhuruar partinë Ilir Metës. Bëhet fjalë për zgjedhjet në Berat, ku është zgjedhur kryetar i degës Santiliano Dule, i cili në zgjedhjet e 25 prillit, ka qenë pjesë e fushatës së kandidatit të Lëvizjes Socialiste për Integrim.“Demokratët refuzojnë farsën e zgjedhjeve të Sali Berishës. Ato jo vetëm janë përjashtuese po në vend të tyre po zgjidhen në poste drejtuese ish-funksionarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Njëri ndër ta është Santiliano Dule, i cili në zgjedhjet e 25 prillit, siç e tregojnë disa statuse, ka qenë pjesë e fushatës së kandidatit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pra kjo tregon se Sali Berisha ka injoruar kontributin e gjithë demokratëve të Beratit, që kanë punuar e sakrifikuar për Partinë Demokratike dhe u ka emëruar kryetar grupseksioni në Berat nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Kjo është mënyra se si po veprohet kudo, përjashtuese dhe jo-përbashkuese.

Zgjedhjet për krerët e degëve të PD

Ndërkohë, Komisioni i Rithemelimit pak ditë më parë zhvilloi zgjedhjet dhe zgjodhi krerët e degëve në Selenicë, Fushë-Krujë dhe Fier. Në Selenicë fitoi Leonard Rakipaj me 203 vota, kundrejt Gazmir Beqajt, i cili mori 63 vota. Në Fushë Krujë u shpall fitues Agron Loka, ndërsa në Fier, Rrapi Gjika fitoi përballë Vladimir Kajollit. Në një njoftim komisioni bërë me dije se zgjedhja e kryetarit të degës u bë sipas parimit “një anëtar një votë”, për një Parti Demokratike më të bashkuar.“Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike njofton që është përmbyllur procesi zgjedhor në tre degët e PD Fier, Selenicë dhe F. Krujë. Procesi i votimit u mbyll në orën 18.00. Pas numërimit të fletëve të votimit, kryetarë të degëve të PD shpallen si më poshtë vijon: PD Fier, z. Rrapi Gjika me 56% të votave, PD Selenicë, z. Leonard Rakipaj me 76% të votave. PD Fushë-Krujë, rikonfirmohet z. Agron Loka me 92% të votave. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale falënderon të gjithë anëtarët që u bënë pjesë e procesit të votimit për zgjedhjen e kryetarit të degës së tyre sipas parimit “një anëtar një votë”, për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të forte e më të hapur”, thuhet në njoftim. Ndërkohë, kujtojmë se më 20 prill, në 71 degët e PD do të zgjidhen kryetarët e rinj, duke zëvendësuar ata që njihen si mbështetësit më të fortë të ish-kreut të PD Lulzim Bashës, ndërsa më 30 prill Berisha do të mbledhë Kuvendin Kombëtar të riformatuar me 1100 delegatë, nga ku do të nisë procesi i zgjedhjes së strukturave drejtuese, e mandej pasuesi i Lulzim Bashës.