Tirana është fituese e kampionatit kombëtar 2021-2022 në volejboll për meshkuj. Bardheblutë kanë triumfuar në finalen e katërt kundër Erzenit me rezultatin 3-2 (25-23, 25-23, 21-25, 15-25, 15-13) pas një ndeshje spektakolare, për ta vulosur serinë e takimeve në shifrat 3-1, duke u shpallur zyrtarisht kampionë të Shqipërisë, trofe që i mungonte skuadrës kryeqytetase që prej vitit 1994.

Kështu gjithçka është mbyllur me festën e Tiranës në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”, ku koleksionon titullin e dhjetë kampion në historinë e klubit. Kujtojmë që në këtë sezon bardheblutë e trajnerit Arben Sako i kanë fituar të gjithë trofetë e mundshëm, duke nisur që nga ato më pak të rëndësishmit si Kupa e FSHV-së apo Kupa Pavarësia, për të vijuar me pas me Ligën Mbarëkombëtare “Gjergj Kastrioti”, Kupën e Shqipërisë dhe në fund qershia mbi tortë ishte kompeticioni më i rëndësishëm, kampionati kombëtar.