Në shtator, 650 nxënës të zonës së Qesarakës dhe Freskut do të hyjnë në shkollën e re. Veç klasave të reja, shkolla do të ketë 6 laboratorë, palestër dhe terrene të jashtme sportive, me të njëjtën cilësi si në të gjtiha shkollat e ndërtuara në Tiranë.

Për kryebashkiakun Erion Veliaj, ky gjimnaz do të ulë mbingarkesën në shkollat e tjera të zonës. “Shkolla do i shërbejë Freskut, IKV-së, një pjese të Kinostudios, zonës së Teleferikut, të Qesarakës dhe Linzës. Në fillim sollëm shërbimet e njësisë administrative më pranë qytetarit, pastaj çerdhen dhe kopshtin, që më rezultojnë histori suksesi në një nga zonat më të populluara të Tiranës. Shkolla e re “17 Shkurti”, që u dëmtua nga tërmeti, po rindërtohet nga e para, e në shtator do të kemi edhe këtë gjimnaz fantastik”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se falë shkollave të reja, Tirana ka infrastrukturën arsimore më të mirë në 100 vitet e fundit. “Kjo shkollë nuk dallon nga “Sami Frashëri”. Jo vetëm po krijojmë kushte dinjitoze për fëmijët këtu, por lirohen edhe shkollat e tjera. Sot, pas ndërtimit të “Sami Frashërit” të ri, na ka ngelur vetëm një shkollë me dy turne, që është gjimnazi “Ismali Qemali”. Me kaq shumë shkolla sa kemi bërë, disa nga bashkia, disa nga qeveria, në Tiranë kemi infrastrukturën më të mire arsimore në 100 vitet e fundit”, shtoi kreu i bashkisë.

Kryebashkiaku u bëri apel prindërve të regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat afër banesës, pasi cilësia është e njëjtë, edhe në mësimdhënie.

“Me hapjen e shkollës në shtator, ku do të regjistrohen mbi 600 nxënës, klasat do të jenë me vetëm nga 30 vetë. Por, më e rëndësishmja është se komuniteti i zonës fiton edhe disa terrene sportive. Në të gjitha shkollat ku kemi vënë dorë, nuk ka asnjë dallim – qoftë shkolla në Mangull, qoftë ajo në Dritas, në ekstremin më fundor ku ndahemi me Kamzën dhe Krujën, qoftë shkollat e tjera në fshatra, kanë të njëjtën cilësi. Për sa kohë që cilësia është njësoj dhe mësuesit janë më të mirët e portalit, prindërit e kuptojnë dhe fëmijët nuk ka nevojë të udhëtojnë gjatë”, nënvizoi Veliaj.

Deputeti i zones, Xhemal Qefalia falënderoi kryebashkiakun Veliaj për vëmendjen e vazhdueshme që bashkia ka treguar për komunitetet e zonave rurale. Shkolla e re pranë Qesarakës, në lagjen 12, do të ketë 21 klasa, 6 laboratorë të ndryshëm mësimor, palestër të re, si dhe disa terrene sportive, që do të jenë në shërbim të komunitetit të zones pas mësimit.