Autoritetet gjermane do të ofrojnë 180 milionë euro (190 milionë dollarë) për ruajtjen e sigurisë në samitin e G7 që do të zhvillohet në Schloss Elmau, në shtetin jugor të Bavarisë, më 26-28 qershor.
Dhjetëra mijëra demonstrues priten në samit, i cili do të mbledhë liderët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara. Gjithashtu do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Ministri i Brendshëm bavarez Joachim Herrmann deklaroi sot se do të ndërmerren masa kundër individëve që përbëjnë një kërcënim për ngjarjen.
“Ne do të veprojmë me vendosmëri dhe në mënyrë të vazhdueshme… në veçanti për të parandaluar ndërprerjen e samitit”, tha Herrmann.
Ministri nuk dha detaje rreth numrit të oficerëve të Policisë që do të vendosen për të garantuar sigurinë e samitit.