I ftuar në A2 CNN, në Intervistë me Merita Haklaj, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, foli edhe situatën në Partinë Demokratike dhe largimin e Bashës.

Ai u shpreh se ish-kreu i PD-së nuk gaboi me përjashtimin e Berishës pasi u shpall non grata, por me menaxhimin e situatës pas këtij vendimi.

“Në momentin që Basha mori vendimin për përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar, Berisha mori atë lëvizje që çoi në fundin politik të z. Basha. Këtë tashmë e dimë. S’kemi pse të komentojmë gjëra, që tashmë i dinë të gjithë. Këtu prapë gabimi i drejtuesit të Partisë Demokratike, z. Basha që kishte shanse të mira, pasi mori një vendim për t’u shkëputur nga e kaluara, për të dalë vetvetja, është që nuk diti ta menaxhojë.

Mendoj se vetëm duke dalë në televizion dhe duke dhënë mesazhin që Berisha është anti-amerikan, e kishte votën me vete. Pavarësisht se nga ana morale vendimi i tij mund të ketë qenë një vendim i drejtë, sepse ishte në interes të Partisë Demokratike. Ky është një shembull tipik, se po nuk dite të menaxhosh efektet brenda organizatës, mund të shkaktojë përmbysje. Dhe ky është rasti konkret. Prandaj, lidershipi nuk është vetëm çështja që të marrësh një vendim të drejtë apo të dukesh mirë. Kjo ishte dobësia e Partisë Demokratike, e cila e kishte bazuar gjithçka te dyshja Berisha – Basha. Unë mendoj se ata të dy kanë qenë gjithë kohës bashkë. Çdo vendimmarrje të Partisë Demokratike, e kanë bërë bashkë. Në momentin kur Basha u vu në pozitë të vështirë me futjen e Berishës në listën e zezë të SHBA, ai nuk mendoi pasojat dhe nuk diti ta amortizojë mirë me strukturat e Partisë Demokratike që shkoi në këtë pikë. Kjo është mungesë e aftësisë së lidershipit”, tha Gjiknuri.