Kur na ndajnë dhe një vit nga zgjedhjet e ardhshme vendore, PS ka ndezur motorët e saj. Në një intervistë për A2CNN, Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri deklaron se Kongresi i 9 prillit do të jetë i rëndësishëm sa i përket organizimit të partisë si dhe ndryshimeve statutore.
“Socialiste është një parti që përshtatet edhe për shkakun se jemi në mandatin e tretë. Do përshtatesh me kohën dhe nevojat që ka koha. Kur rri gjatë në pushtet, sidomos partitë që janë në pushtet, fokusi në parti bie. Kjo është një gjë e natyrshme. Këtu është aftësia e Partisë Socialiste. Këtu është edhe sfida ime sesi ta mbaj këtë organizatë shumë aktive të reformuar, të aftë për të konkuruar në zgjedhjet e ardhshme për të mbajtur gjallë Partinë Socialiste edhe pse në një periudhë të gjatë në pushtet.Po bëjmë disa ndryshime në statut që kanë të bëjnë më shumë me karakterin organizativ. Mund të shtojmë disa Sekretariate të tjera sikurse është Sekretariati për Diasporën, Sekretariati për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore. E kemi të nevojshme për shkak se do kemi edhe reforma zgjedhore. Gjithmonë organizimi i zgjedhjeve do vëmendjen e partive nga pikëpamja e organizimit .Do përshtasim administratën e partisë, strukturën e partisë, duke futur edhe elementë të një Sekretarie Ekzekutive të Partisë me qëllim që të jenë njerëz me kohë të plotë. Në përgjithësi në parti ka një kategori që merret vetëm me punën e partisë dhe nuk synon të bëjë karrierë, të zgjidhet deputet, të zgjidhet kandidat për kryetar bashkie. Njerëz teknikë të mirëfilltë partiakë që administrojnë të dhëna, anëtarësinë, ndjekin zbatimin e porosive përsa i përket zhvillimit të partisë në terren. Në fund të fundit partia është një organizatë vullnetare. Duhen takuar njerëzit”, tha Gjiknuri.
Ai nënvizon se PS do të jetë sërish një forcë politike e aftë për të konkurruar për qeverisjen e vendit. “E para njëherë është që PS do të jetë prapë një forcë e aftë për të konkurruar për të vazhduar qeverisjen e vendit. Sfidat të clat kanë sjellë krizat e fundit, përfshirë dhe krizat që vijnë nga lufta në Ukrainë, që ka shkaktuar një situatë jo të mirë ekonomike, këto mund të shërbejnë dhe si mundësi për të riparë disa nga politikat tona, qoftë sociale, por qoftë dhe zhvillimore. Sepse në fund të fundit unë besoj që reformat e përshtatshme për tregun, por gjithmonë dhe me një vëmendje të mbrojtjes së njerëzve më në nevojë dhe që disa masa qeveria i ka marrë tashmë, do të krijojnë oportunitete edhe më të mëdha për zhvilim. Pra krizat krijojnë dhe oportunitete për të përshtatur disa nga politikat që nuk kanë shkuar mirë. Mund të jetë në fushën e energjisë, në fushën e transporteve, në fushën e bujqësisë. Pra në fusha të tjera të ekonomisë së vendit. Edhe këto mesazhe do të jenë. Mesazhi për rininë. Partia Socialiste ka nevojë për riorganizimin e saj sidomos tek të rinjtë sepse të gjitha partitë politike në Shqipëri kanë një problem me të rinjtë, sidomos partitë tradicionale Kjo është një sfidë e madhe. Dhe synimi jonë është që në organizimin e Akademisë Politike, me organizimin e rrjetit rinor që kemi filluar të ngremë, si të aktivizojmë sa më shumë të rinj. Unë kam pasur një mesazh dhe Edi Rama si Kryetar ka thënë që populloni sa më shumë atë parti, sa më shumë të rinj”, theksoi Gjiknuri.