Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, propozon që administrata zgjedhore në Shqipëri të shkojë drejt depolitizimit të saj. Në një intervistë për A2CNN, Gjiknuri thekson se gjëja më e rëndësishme për t’u përmirësuar është çështja e administratës politike, gjë që u pa edhe në zgjedhjet e fundit në Vorë, ku PD nuk gjente anëtarë për komisionin.
“Përsa i përket reformës zgjedhore, natyrshëm Partia Demokratike është në një kaos tashmë. Është shumë e vështirë, siç e shikoj unë politikisht, që ata të mund të formatohen dhe të kenë një strategji të caktuar për Kodin Elektoral. Besoj do u duhet akoma kohë për të rregulluar punët e shtëpisë së tyre. Ju e dini, e keni parë këto ditë, ka debate të mëdha në Partinë Demokratike. Do të shikojmë sesi do të shkojë situata, nuk mund të parashikojmë. Unë e kam thënë, dikush mendoi se pas 6 marsit ishte fillimi i fundit të shkërmoqjes, por unë kam frikë se është fundi i fillimit. Pra, kaosi në PD do vazhdojë gjatë. Kjo do sjellë vështirësi në kohezionin politik të opozitës. Megjithatë, një gjë është e rëndësishme dhe mua kjo më qetëson që, vendit nuk i bëhet ndonjë dëm nga mosbërja e Reformës Zgjedhore. Ne kemi një Kod Zgjedhor mëse të mirë, që nuk ka ndonjë gjë për t’u përmirësuar. Për mendimin tim gjëja më e rëndësishme për tu përmirësuar aty është çështja e administratës politike, gjë që u pa edhe në zgjedhjet e fundit në Vorë ku PD nuk gjente anëtarë për komisionin. Kjo mund të jetë një reformë e mirë për t’u zhvilluar. Pra, kjo është gjëja më e madhe për t’u ndryshuar. Pjesa tjetër janë gjëra teknike. Për zgjedhjet vendore, reforma zgjedhore nuk është se ka ndonjë vlerë, sepse aty janë zgjedhje të mirëfillta mazhoritare. Ligji është shumë i mirë dhe i adreson të gjitha situatat. Ne patëm zgjedhje vendore në 6 mars në 6 bashki dhe nuk pati ndonjë problem me zbatimin e ligjit zgjedhor. Komisionerët politikë nuk kanë pse të jenë më, sepse procesi është plotësisht i automatizuar. Identifikimi i zgjedhësve bëhet nëpërmjet kartës së identitetit, vendosjes së shenjës së gishtit, që mblidhet dhe krahasohet nesër me faktin që u krahasuan, parandalojnë shumë shumë tentativa për votim të dyfishtë, dhe kemi listë elektronike në qendrën e votimit. Nga kjo pikëpamje nuk e di pse duhen më komisionerët politikë. Megjithatë ne jemi në pritje dhe për këtë çështje ”, shprehet Gjiknuri.