Një e re e cila në gjendje të dehur goditi një 58-vjeçar gjatë një konfrontimi fizik është shpallur e pafajshme. Kelsea O’Hara, asokohe 19 vjeçe, sulmoi Andrew Turner, pasi ai refuzoi të kërkonte falje për përplasjen me mikun e saj në Bridlington, East Yorkshire. Turner ra në tokë, goditi kokën dhe vdiq gjashtë ditë më vonë, më 3 shtator të vitit të kaluar. Pas vdekjes së tij, Policia e Humberside nisi hetimet për vrasje. Pavarësisht se 58-vjeçari ndërroi jetë brenda një jave nga sulmi i të resë, një patolog dhe një neuropatolog konfirmuan se ajo nuk ishte përgjegjëse për vdekjen e tij.
Andrew Espley, ekspert kriminalistik tha se Turner kishte dalë për të pirë një gotë me një mik të tij, ndërsa të njëjtën gjë kishte bërë e reja me katër miqtë e saj. Pas një keqkuptimi me një nga miqtë e saj, O’Hara i kishte kërkuar 58-vjeçarit të kërkonte falje. Pas refuzimit, ajo hodhi çantën e saj në dysheme dhe u hodh në drejtim të Turner, duke e goditur me grusht në fytyrë ndërsa menjëherë pas kësaj ai ka rënë pa ndjenja në tokë. Ai, pësoi një çarje në pjesën e pasme të kokës . “Ai u përpoq të ngrihej kur rifitoi vetëdijen, por nuk mundi ta bënte këtë”, rrëfen eksperti kriminalistik.
Policia dhe ndihma e shpejtë mbërritën në vendngjarje, por Turner refuzoi të shkonte në spital,teksa plagët e tij fillimisht nuk besohej se vinin në rrezik jetën e tij. Të nesërmen, O’Hara u arrestua. Ajo nuk bëri asnjë koment gjatë deklaratës në polici. “Turner nuk vdiq deri më 3 shtator, kështu që ajo nuk do të ishte pyetur për shkaktimin e vdekjes së tij”, shton Espley. “Goditja ka qenë impulsive dhe spontane, ka qenë vetëm një grusht i vetëm” Nuk kishte asnjë provë se vdekja e Turner kishte ndonjë lidhje me O’Hara-n dhe kjo ishte konfirmuar pas ekzaminimeve nga një patolog dhe një neuropatolog.
Gjykatësja Sophie McKone i tha: Turner ka vdekur që atëherë, por unë e bëj absolutisht të qartë se ju nuk mbani asnjë përgjegjësi për këtë. O’Hara në përfundim të gjyqit u dënua me gjashtë muaj burg, gjashtë muaj arrest shtëpie nga 7 pasdite deri në 6 të mëngjesit dhe 20 ditë rehabilitim.