Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi sot në Tiranë po ndjek punimet e Kongresit të Partisë Socialiste, duke qenë kështu panelist në pjesën ku është disktuuar mbi temën “Rajoni, Europa, Siguria”. Zëri i bashkuar i shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë palca kurrizore e frymës euroamerikane të rajonit tonë, me qasje konstituive dhe thelbësore në formimin e prioriteteve strategjike të vendeve tona për rajonin dhe për përfaqësimin e rajonit në politikat e integrimit të plotë, është shprehur mes tjerave Grubi në fjalimin e tij.
Në vazhdim fjalimi integral: Ju falënderoj shumë për ftesën dhe mundësinë që të bëhem pjesë e punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste këtu në Tiranë dhe ju sjell të fala vëllazërore nga Kryetari im, Ali Ahmeti, me uratat më të sinqerta për Kongres të mbarë dhe punime të suksesshme.
Gëzohem që na mblodhët në Tiranë gjithë neve, nga Shkupi, Prishtina, Presheva, Mali i Zi, rajoni dhe Europa. Padyshim se politika e jashtme, marrëdhëniet me Europën, siguria dhe raportet e ndërsjella të vendeve të Europës juglindore, janë tema akute për të cilat me ndodhitë e fundit në Europën Lindore duhet shumëfishuar aktivitetet dhe trajtuar këto çështje më syçelë se kurdoherë.
Bashkëpunimi më i intensifikuar në mes forcave tona politike përbrenda Ballkanit Perëndimor, synim të vetëm e ka eliminimin e disonancave rreth qëllimit të pakontestueshëm dhe të rrugës ose rrugëve që do të na çojnë drejt qëllimit të përbashkët, integrimit në BE dhe NATO. Zëri i bashkuar i shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë palca kurrizore e frymës euro-amerikane të rajonit tonë, me çasje konstituive dhe thelbësore në formimin e prioriteteve strategjike të vendeve tona për rajonin dhe për përfaqësimin e rajonit në politikat e integrimit të plotë.