Zëri i bashkuar i shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë palca kurrizore e frymës euro-amerikane të rajonit tonë, me çasje konstituive dhe thelbësore në formimin e prioriteteve strategjike të vendeve tona për rajonin dhe për përfaqësimin e rajonit në politikat e integrimit të plotë. Kështu është shprehur sot gjatë fjalimit të tij gjatë Kongresit të Partisë Socialiste të Shqipërisë në Tiranë, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi.
“Në çdo projekt të bashkëpunimit rajonal, njëri nga ne, është së paku vet i treti, e në raste edhe vet i katërti dhe rrjedhimisht asnjë vendim për tërësinë e rajonit dhe gjashtëshen e Ballkanit perëndimor nuk merret dot pa pajtueshmërinë tonë andaj dhe nuk duhet t’i druhemi iniciativave dialoguese dhe bashkëpunuese. Është e qartë se secili nga vendet tona ka dhe veçoritë e veta, por në këtë kontekst do të kisha nënvizuar se koordinimi institucional dhe kombëtar ose këshillimet permanente si ky i sotmi janë më se të domosdoshme, para se të shtrohen qëndrimet tona para institucioneve të BE-së ose edhe subjekteve tjera rajonale dhe ndërkombëtare. Megjithatë, për ne, integrimi europian është e vetmja alternativë. Alternativë tjetër nuk ka as Bashkimi Europian, përveç se ta integrojë rajonin urgjentisht”, është shprehur Grubi.