Manchester United ka zyrtarizuar ditën e enjte marrëveshjen me Ten Hag, trajneri holandez që do të marrë vendin e Ralf Rangnick sezonin e ardhshëm. Trajneri aktual i Ajax-it do t’i japë fund aventurë së tij në Holandë për të filluar atë në drejtim të United. Edhe Pep Guardiola ka komentuar në konferencë për shtyp zgjedhjen e rivalëve.

“Zgjedhja e Ten Hag tek United? Mjafton të shikoni Ajax-in e tij dhe do të kuptoni cilësitë e tija. I bëj urimet e mia dhe i uroj më të mirën”, ka thënë Pep. “Është një trajner shumë i mirë, skuadrat e tija të dhurojnë gëzim kur i shikon”, ka shtuar trajneri i Manchester City-t, i cili ka folur më për ndeshjen e kampionatit kundër Watford-it, që skuadra e tij do të luajë të shtunën.

“Hodgson ka thënë se unë nuk i flas? Nuk është e vërtetë. Pas ndeshjes flas me trajnerët e tjerë. Dhe i ftoj për një gotë verë. Pse nuk duhet të jemi miq?”, ka thënë Guardiola. “Jam i sigurt se po bënte shaka. Kjo është pjesa më e mirë e sezonit? E adhuroj, çdo ndeshje është e rëndësishme. Do të thotë se kemi bërë shumë gjëra të mira”.