Hapet Qendra Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese në Kombinat, pas rikonstruksionit të plot nga dëmtimi i tërmetit të 26 Nëntorit 2019. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, theksuan se me modernizimin e kësaj qendre, do të ofrohen metodat me të mira të trajnimit bashkëkohor për fëmijët me aftësi ndryshe.
“Kjo është një qendër e re e rehabilituar në kuadër të investimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Një qendër që është dëmtuar nga tërmeti. Janë bërë gjithë përforcimet por mbi të gjitha është kthyer në standarde bashkëkohore. Eshtë një qendër rezidenciale dhe ambulatore. Veçantia në këtë qendër është që përveç shërbimeve ambulatore të vlerësimit, ne kemi edhe shërbime rezidenciale. Nënat bashkë me fëmijët që kanë probleme të spektrit autik apo të sindromës down i duhet të qëndrojnë rreth dy javë për të bërë terapinë që duhet dhe më pas për t’u rikthyer në familje dhe për të qëndruar gjashtë javë të tjera në përsëritje të terapisë dhe për t’u rikthyer sërish sepse terapia që zhvillohet në këtë qendër kërkon që të ketë një ndjekje të përhershme nga mjekët edhe nga infermierët e qendrës. Kemi 25 shtretër në këtë minispital do ta thoja unë sepse në fakt merren shërbime terapeutike mjekësore, sipas shërbimeve të cilat janë të përcaktuara dhe standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, tha Manastirliu.
Drejtoresha e Qendrës Florida Dobi tha se qendra është rikonstruktuar, jo vetëm fizikisht, por edhe e rikonceptuar për të gjitha moshat e fëmijëve. “Është një qendër, e cila është rikonstruktuar, jo vetëm fizikisht, por dhe është rikonceptuar për të gjitha moshat e fëmijëve, duke shtuar cilësinë dhe standardin e përshtatshëm për patologjitë e shëndetit mendor që ne mbulojmë, por edhe atë fizik të lidhura me shëndetin mendor të adoleshentëve. Ofrojmë një shërbim me shtretër për nënat dhe fëmijët, të cilët vijnë nga zonat e thella me më pak hapësirë se për të patur shërbimet e shëndetit mendor në rrethet përkatëse. Kryesisht nga zonat e veriut apo distanca shumë të largëta, të cilat marrin përfitime në terapi në mënyrë ciklike. Terapi, të cilat janë intensive pranë qendrës sonë dhe të mbulimit me programe individuale dhe në rritmet përkatëse në një cikël 6 javor.” – u shpreh ajo.
Rikonstruksioni i Qendrës Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijë u realizua në kuadër të Programit të Rindërtimit dhe vlera e investimit është 126 milionë lekë. Një institucion unik në llojin e tij në Shqipëri i cili ofron shërbim me shtretër dhe ambulator për fëmijët e moshës 0 – 18 vjeç në nivel kombëtar. Kjo qendër ofron shërbim diagnostikues, trajtues dhe rehabilitues për fëmijët me probleme të neurozhvillimit si Autizmi, Sindroma Down, Paraliza Cerebrale, etj. Në muaj janë rreth 50 fëmijë deri në moshën 6 vjeç nga e gjithë Shqipëria të shoqëruar nga nënat e tyre me frekuentim ciklik që shërbimin në qendër e marrin si pacientë të shtruar – hospitalizimi bëhet me cikle. Gjithashtu ofrohet shërbim edhe për 70 fëmijë që marrin vetëm shërbim ambulatory. Godina e re 3 kate ka një kapacitet me 25 shtretër.