Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu drejtuan së bashku panelin e shëndetësisë, mirëqënies sociale dhe punës, në Kongresin e Partisë Socialiste.
Ministrja Ibrahimaj tha se vizioni i PS është ai për një Shqipëri më të sigurtë, më të fortë, më të zhvilluar.
“Ne sot jetojmë në një epokë ku çdo qytetar mund të marrë çdo shërbim me një klik. Sot qytetet janë transformuar në drejtim të të gjithë hapësirave publike, në drejtim të hapësirave kulturore, por mbi të gjitha në drejtim të hapësirave ekonomike që ofrojnë. Ka shumë më shumë turistë dhe vizitorë, një numër gjithmonë e në rritje biznesesh të reja që hapen, vendase dhe të huaja. Vendet e punës janë në rritje dhe pagat janë në rritje. Nuk është mjaftueshëm. Ne duam një ekonomi më të zhvilluar dhe një Shqipëri më të sigurtë”, deklaroi ministrja e Financave.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, ministrja e Financave sqaroi se atje njerëzit jetojnë në frikë për sigurinë e tyre fizike. Efektet e luftës, tha Ibrahimaj, kanë ardhur te ne ashtu si në të gjithë botën, përmes rritjes së çmimeve.
Ne vendosëm të amortizojmë kostot e rritjes së çmimit të karburanteve për të gjitha kategoritë e qytetarëve të cilët nuk kanë mundësi ta përballojnë rritjen, për të gjithë fermerët, për të gjithë shoqëritë e transportit publik urban dhe ndërurban, për ata qytetarë që përdorin transportin publik.