Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ngriti sot nevojën e ridimensionimit të arsimit profesional, me qëllim fuqizimin e tregut të punës me staf profesionist në fushën e turizmit, duke qenë se Shqipëria po njeh çdo vit rritje të numrit të turistëve. Gjatë një aktiviteti të mbajtur në Vlorë, ku e pranishme ishte edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, Ibrahimaj tha se numri i të punësuarve në sektorin e turizmit në këtë qark shënoi rritje me 2500 persona gjatë sezonit, por, theksoi ajo, oferta e shkollës profesionale të Turizmit në Vlorë është vetëm 140 studentë. “Vlora ka një fluks dhe kërkesë të madhe për punë gjatë gjithë sezonit veror. Janë më shumë se 2500 të punësuar në sezon në vit. Me rritjen e numrit të turistëve është rritur edhe kërkesa për punë dhe numri i bizneseve që operojnë në këtë fushë“, tha ministrja.
Sipas Ibrahimajt, është detyra jonë që të përgatisim stafe të kualifikuara, pasi nuk është e domosdoshme vetëm ndërtimi i strukturave akomoduese, por edhe që niveli i shërbimit të jetë aty ku duhet. “Gjithmonë e më shumë ka hotele të reja, me standarde të larta që po ndërtohen, jo vetëm në qytet por edhe zona rurale. Ka pasur ndër vite mungesë të cilësisë së shërbimit. S’e kam fjalën vetëm për kuzhinën, por për shërbimet, kamerier, recepsionist, hotelier, të gjithë zinxhirin”, deklaroi Ibrahimaj.
Për të adresuar këtë çështje, ministrja vuri theksin në nevojën e rritjes së bashkëpunimit me biznesin. “Ndaj, ne duam që përmes një bashkëpunimi më të fortë me biznesin të kuptojmë kërkesat në kohë reale dhe të punojmë sot për sezonin e ardhshëm dhe jo sot për këtë sezon”, deklaroi ajo.
Ndërkohë që numri i të punësuarve shënon rritje me 2500 persona, përgjatë sezonit, oferta e shkollës profesionale të turizmit në Vlorë është vetëm 140 studentë në vit. “Pra, kërkesa është shumë më e madhe se oferta. Do të thotë se ne do të duhet të ridimensionojmë të gjithë ofertën tonë në sektorët ku është më e nevojshme. Dhe sektorët ka më tepër nevojë është turizmit, ku Shqipëria ka një potencial shumë të lartë teknologjia e informacionit dhe digjitalizimi. Dhe pikërisht për këtë në Vlorë kemi një shkollë profesionale për turizmin ekonomik dhe një shkollë shkollë profesionale me drejtim industrial ku përfshihet dhe IT. Ne do ta zgjerojmë edhe më tepër këtë degë. Ne jemi të bindur që duhet të investojmë në rritjen e kapaciteteve njerëzore në mënyrë që të rrisim kështu produktivitetin e bizneseve dhe cilësinë e ofrimit të shërbimeve”, theksoi ministrja Ibrahimaj.