Presidenti rus Vladimir Putin, u vizitua nga një kirurg kanceri 35 herë brenda katër viteve, në rezidencën e tij në Detin e Zi. Këto të dhëna janë bërë të ditura nga hetime të kryera së fundmi, shkruan The Times. Ndërsa Putin po i afrohet ditëlindjes së tij të 70-të, shërbehet nga një brigadë mjekësh, duke përfshirë Yevgeny Selivanov, një kirurg onkologjik i specializuar në kancerin e tiroides, sipas Proyekt, një grup gazetaresk investigativ rus.
Gjatë një periudhe katërvjeçare, Selivanov dyshohet se e vizitoi udhëheqësin rus për një total prej 166 ditësh, ndërsa Putin ishte në Soçi. Putin, thuhet gjithashtu se i është kthyer mjekësisë alternative, duke u kënaqur me një praktikë të larjes me gjak të nxjerrë nga brirët e drerit të prerë.
Proyekt zbuloi detaje të trajtimit mjekësor të supozuar të Putinit duke ekzaminuar dokumentet e prokurimit të qeverisë të aksesueshme nga publiku. Sipas tij këto dokumente tregojnë se cilët mjekë nga klinika presidenciale në Moskë ishin akomoduar në katër hotele të ndryshme të përdorura nga stafi i Kremlinit pranë rezidencës së Putinit në Bocharov Ruchey midis 2016 dhe 2020, kur udhëheqësi ose ishte duke vizituar zyrtarisht qytetin ose gjatë periudhave kur ai u zhduk në mënyrë të diskutueshme nga publiku.
Kremlini ka mohuar vazhdimisht raportet për shëndetin e keq të Putinit dhe jeta e tij personale është e mbuluar me fshehtësi. Proyekt zbuloi se një ekip mjekësh mbërrinte gjithmonë në qytet pak para presidentit, por herë pas here numri i tyre “rritej në mënyrë dramatike”. Në dy raste, në 2016 dhe 2019, kishte një sugjerim të fortë se Putini i ishte nënshtruar një operacioni ose një procedure serioze, me shumë gjasa në shpinë, shkruan The Times.
E para ishte në një kohë kur lideri nuk u pa në publik për pesë ditë. Deri në vitin 2019, mesatarisht nëntë mjekë po e shoqëronin Putinin në vizitat e tij në Soçi. Gjatë periudhës katërvjeçare, tre mjekë ishin rregullisht në ekip – dy specialistë të veshit, hundës dhe fytit dhe Selivanov. Mjeku që kaloi shumicën e kohës në Soçi gjatë vizitave të Putinit ishte Alexei Shcheglov, një nga specialistët e veshit, hundës dhe fytit, i cili bëri 59 vizita midis 2016 dhe 2019, për një total prej 282 ditësh.
Anëtarët e tjerë të ekipit mjekësor përfshinin anestezistë, një neurokirurg, një specialist i sëmundjeve infektive dhe një mjek të kujdesit intensiv. Kremlini nuk e ka komentuar raportin e Proyekt, por zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, tha në vitin 2020 se shëndeti i presidentit ishte “i shkëlqyer”. Kur Putini erdhi në pushtet si një 47-vjeçar në vitin 2000, një komponent thelbësor i imazhit të tij ishte ai i një njeriu të fortë dhe të shëndetshëm, i cili i pëlqente sportet. Ky ishte një kontrast i dukshëm me paraardhësin e tij, Boris Yeltsin, i cili kishte një problem me pijen dhe i ishte nënshtruar një operacioni në zemër.
Në një vizitë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1995, agjentët e shërbimit sekret kishin gjetur një Jelcin të dehur në të brendshmet e tij jashtë Shtëpisë së Bardhë, duke u përpjekur të mbante një taksi që të mund të shkonte dhe të blinte një pica. Putini, nga ana tjetër, u shfaq i matur dhe aktiv, duke luftuar kundërshtarët në dysheme në tapetin e xhudos dhe duke marrë kontrollin e një avioni luftarak. Kremlini vazhdoi ta shtynte atë imazh ndërsa Putini plakej, dhe fotosesionet e tij në vitet e fundit e kanë treguar atë duke peshkuar, hipur topless dhe duke mbajtur një pushkë gjatë udhëtimeve në Taiga me Sergei Shoigu, ministrin e mbrojtjes.
Megjithatë, ka pasur të dhëna për sëmundje ose procedura mjekësore. Në vitin 2010, ai dukej se kishte mavijosur mollëzat gjatë një vizite në Ukrainë, duke nxitur spekulime mediatike rreth operacioneve plastike. Kremlini tha se ai ishte thjesht i lodhur dhe drita kishte “bie keq” në fytyrën e Putinit. Burime qeveritare u thanë gazetarëve në vitin 2012 se Putini, atëherë 60 vjeç, kishte një problem me shpinën që mund të kërkonte operacion dhe ishte i detyruar të vishte një korse, transmeton BalkanWeb.
Kremlini e mohoi këtë dhe tha se një çalë e mëparshme ishte shkaktuar nga një “dëmtim sportiv” i paspecifikuar. Gjatë pandemisë Covid-19, Putin qëndroi në izolim të rreptë për muaj të tërë dhe mbajti vizitorët, përfshirë disa liderë të huaj, në fund të një tryeze shumë të gjatë .