Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Evropian përgjatë tremujorit të parë të këtij viti zunë 60,9 % të të gjithë vëllimit të tregtisë.
Sipas INSTAT-it, në periudhën shkurt – mars 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 54 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia me 31,8 % të vëllimit, Turqia me 8,3 %, Gjermania me 7,0 % dhe Greqia me 6,6 %.
Gjatë këtij tremujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë Italia (54,5 %), Kosova (52,0 %) dhe Gjermania (123,3 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Spanja (66,8 %) dhe Turqia (19,7 %).
Ndërkohë, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (12,7 %), Turqia (52,7 %) dhe Kina (9,1 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (20,2 %) dhe Zvicra (29,4 %).