Shefi i agjensisë britanike të spiunazhit, Sir Jeremy Fleming, ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin, me shumë mundësi i ka bërë llogaritë gabim në lidhje me forcën e resistencës së Ukrainës. Sipas tij, këshilltarët kanë frikë t’i thonë të vërtetën Putinit në lidhje me shkallën e gabimit të tij. Sir Jeremy Fleming, në një fjalim të mbajtur në Australi, tha se udhëheqësi rus kishte keqvlerësuar forcën e rezistencës ukrainase, reagimin perëndimor dhe aftësinë e forcave të tij për të dhënë një fitore të shpejtë, raportoi The Guardian.
“E gjitha i shtohet llogaritjes së gabuar strategjike që liderët perëndimorë e paralajmëruan Putinin se do të ishte. Është bërë lufta e tij personale, me koston e paguar nga njerëz të pafajshëm në Ukrainë dhe, gjithnjë e më shumë, nga rusët e zakonshëm gjithashtu”, tha Fleming.
Fleming tha se besonte se dështimi për të arritur një fitore të shpejtë duhet të jetë duke shkaktuar mosmarrëveshje në Kremlin. “Edhe pse ne besojmë se këshilltarët e Putinit kanë frikë t’i thonë të vërtetën, ajo që po ndodh dhe shkalla e këtyre gjykimeve të gabuara duhet të jetë e qartë për regjimin”, tha ai.
Fleming ka shtuar gjithashtu se morali i trupave ruse është shumë poshtë dhe se ato po refuzonin të zbatonin urdhrat, sabotonin pajisjet e tyre dhe madje rrëzonin aksidentalisht avionët e tyre.
Një paralajmërim i ngjashëm, në lidhje me faktin që këshilltarët dhe njerëzit rreth Putinin kishin frikë t’i tregonin të vërtetën mbi rëndesën e situatës në Ukrainë, ka ardhur edhe nga SHBA. “Ne kemi informacione se Putini është ndjerë i mashtruar nga ushtria ruse, gjë që ka rezultuar në tensione të vazhdueshme midis Putinit dhe udhëheqjes së tij ushtarake. Ne besojmë se Putini po keqinformohet nga këshilltarët e tij se sa keq po performon ushtria ruse dhe se si ekonomia ruse po gjymtohet nga sanksionet, sepse këshilltarët e tij të lartë kanë shumë frikë t’i thonë të vërtetën. Pra, është gjithnjë e më e qartë se lufta e Putinit ka qenë një gabim strategjik që e ka lënë Rusinë më të dobët në terma afatgjatë dhe gjithnjë e më shumë të izoluar në skenën botërore”, tha Kate Bedingfield, drejtoreshë e komunikimit në Shtëpinë e Bardhë.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, ra dakord më vonë me vlerësimin e Shtëpisë së Bardhë. “Është ushtria e Putinit. Është lufta e tij. Ai e zgjodhi atë … fakti që ai mund të mos e kuptojë plotësisht shkallën në të cilën forcat e tij po dështojnë në Ukrainë, është pak siklet”, tha Kirby.