Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, ku u shqyrtuan dhe miratuan projekt-vendime të rëndësishme për transformimin e kryeqytetit, por edhe për t’i dhënë impuls programit ambicioz të Tiranës si “Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”, kryetari i Bashksisë së Tiranës, Erion Veliaj dha lajmin e mirë se do të ketë një shtesë fondi për të mbështetur klubet sportive Tirana, Partizani dhe Studenti. Veliaj nënvizoi se Bashkia e Tiranës ka një fokus të qartë në investimet për sportin në kryeqytet.
“Ne si bashki jemi pronarë të të gjitha klubeve sportive, përveç futbollit, ku jemi vetëm pjesërisht. Por, edhe në futboll, vendimi i gjykatës na dha të drejtë, ku edhe Federata Shqiptare e Futbollit e njohu Shoqatës Rajonale të Tiranës. Mesazhi që dhamë me atë betejë është se ti në Tiranë nuk e shkel fair play-n, nuk luan me faulle, nuk bën gol me dorë dhe nuk i vjedh votat. Pasi u njohëm edhe nga gjykata si Shoqatë, do t’i japim një rëndësi edhe futbollit. Nuk flas këtu për futbollin elitar, por për mbi 250 klube ku shkojnë fëmijët e vegjël nëpër lagje, në ato fushat sportive që ka investuar bashkia, dhe tani që edhe shoqata është e njohur nga gjykata dhe ajo betejë u shpërblye me një palë zgjedhje të ndershme dhe jo të vjedhura në Tiranë, ne do t’i përgjigjemi gjithashtu edhe me financat tona”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku listoi disa nga ambientet sportive që shumë shpejt do i shërbejnë fëmijëve dhe qytetarëve të Tiranës.
“Brenda këtij muaji kemi disa fusha që do t’i marrim në dorëzim, si fushat te Liqeni, pas një kontrate 20-vjeçare të përfunduar me privatin. Është e njëjta gjë që ndodhi tek “7 xhuxhat” – e mori bashkia, nuk u bë pallat, por në tokën e bashkisë u bë parkingu publik, kurse këndi i lodrave sipër parkingut. Ashtu siç kemi marrë në përfundim të këtyre kontratave shumë prej pronave që i janë rikthyer bashkisë dhe i janë vënë në dispozicion qytetarëve, të njëjtën gjë do bëjmë edhe tek fushat e Klubit Sportiv Dajti. E pashë edhe aty histerinë që u krijua – iu mbaroi kontrata 20-vjeçare, do i marrë bashkia, do t’i ri-investojë për ta kthyer prapë edhe atë në një fushë tjetër futbolli. Edhe pishinat do t’ia rikthejmë Federatës së Notit”, pohoi Veliaj.