Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, njofton se ka përmbyllur fazën e parë të shqyrtimit të dokumentacionit për subjektet e agrobiznesit që aplikuan në thirrjen e katërt të programit IPARD II. Sipas AZHBR-së, interesi i aplikantëve në këtë thirrje ka qenë tejet i lartë, përtej pritshmërive dhe AZHBR-së, duke regjistruar një shifër 5 herë më të lartë se fondi i vënë në dispozicion për financim.

AZHBR bën të ditur se, brenda këtij muaji do të nis edhe lidhja e kontratave të para, për projektet fituese. Fermerë dhe agropërpunues aplikuan nga data 10 janar 2022 deri në datën 25 shkurt 2022, për të përfituar mbështetje financiare në Masën 7: “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” me fokus të veçantë në sektorët; Turizmi rural dhe i Natyrës; Punimet e artizanatit dhe industria e manifakturës.

Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 4.1 milionë euro nga të cilat 75 % ose 3,075 milionë euro kontribut i BE dhe 25 % ose 1,025 milionë euro kontribut i buxhetit të shtetit. Shuma minimale e totalit të shpenzimeve të pranueshme është 10,000 euro dhe shuma maksimale e totalit të shpenzimeve të pranueshme është 400,000 euro.

Një aplikant mund të përfitojë më shumë se një projekt investimi, por totali i kostove të pranueshme të investimeve për aplikant, për këtë masë nuk duhet ta kalojë vlerën prej 600,000 euro për të gjithë kohë zgjatjen e periudhës së programit.
“Përqindja e mbështetjes publike është e barabartë me 65 % të totalit të kostove të pranueshme të investimit”, bëri të ditur AZHBR.