Pas deklaratës së ish-kryeministrit Sali Berisha se figurat e njohura politike të cilat janë larguar në 8 vitet e fundit nga selia blu ishin të mirëpritura të riktheheshin në parti, vjen një reagim nga Astrit Patozi.
Ky i fundit përmes një mesazhi në rrjetet sociale, thekson se nuk ishte në kërkim të ndonjë partie. Mes të tjerash Patozi pohon se “Ndihem shumë rehat sot me jetën dhe lirinë time, ndërkohë që për asnjë çast në këtë botë nuk kam menduar se politikë bëhet vetëm brenda një partie dhe vetëm rrotull një udhëheqësi legjendar dhe të pagabueshëm.”.
Duke mos i kursyer ironitë, ish-deputeti i PD-së, shkruan se “ftesa verbale për “dasëm” qenka bërë pas mesit të natës, kujtoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe 5 vjet më parë, kur na larguan”.
REAGIMI
FALEMINDERIT, POR NUK JAM NË KËRKIM…
Meqë më paska dalë emri mbrëmë dhe media është shprehur shumë e interesuar, e gjeta të udhës të jap një përgjigje të shkurtër.
Faleminderit që na kujtojnë ende, por unë nuk jam në kërkim të ndonjë partie. Aq më pak të atij lloji, që janë katandisur si mos më keq nga drejtimi i gabuar për një kohë të gjatë dhe të pandërprerë.
Ndihem shumë rehat sot me jetën dhe lirinë time, ndërkohë që për asnjë çast në këtë botë nuk kam menduar se politikë bëhet vetëm brenda një partie dhe vetëm rrotull një udhëheqësi legjendar dhe të pagabueshëm.
Por meqë ftesa verbale për “dasëm” qenka bërë pas mesit të natës, kujtoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe 5 vjet më parë, kur na larguan. Natyrisht, pa votë dhe pa mbledhje forumesh politike.
Të paktën, orën mund ta kishin ndërruar. Se në dorë vetë e kishin, si atëherë edhe tani.