Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, pas një samiti virtual me presidentin kinez Xi Jiping ditën e sotme, tha se Kina nuk mund të mbyllë sytë e të mos shohë të gjitha shkeljet e ligjit ndërkombëtar, që Rusia po bën ndaj Ukrainës dhe ndaj gjithë botës.
Bashkimi Evropian dhe Kina në mbyllje të bisedës virtuale, ranë dakord se kjo luftë po kërcënon sigurinë globale dhe ekonominë botërore, dhe se BE do të mirëpresë hapa pozitivë nga Kina për të ndihmuar në përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Ne do të mbetemi vigjilentë ndaj çdo përpjekjeje për të ndihmuar Rusinë financiarisht ose ushtarakisht dhe për të anashkaluar sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë. Çdo lëvizje e Kinës për të mbështetur përfundimimn e luftës do të mirëpritet nga e gjithë bota” tha Michel.
“Ne patëm mundësinë të shpjegojmë pozicionin e BE-së, t’i bëjmë thirrje Kinës të veprojë, të angazhohet për të marrë pjesë aktive në të gjitha përpjekjet që po bëhen për të rivendosur paqen dhe stabilitetin,” shtoi ai.