Përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit Ivi Kaso, reagoi sot pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të marrë në shqyrtimin ankimimin e kreut të grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, ndaj vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri që mandatoi Komisionin e Rithemelimit si organi drejtues i PD-së.

Sipas tij, personi që ka bërë ankimin nuk është palë për të bërë ankimimin dhe Gjykata duhet të bënte një kontroll formal dhe jo të japë të drejtën se kush e përfaqëson Partinë Demokratike.

“Në radhë të parë dua të sqaroj se ndryshe nga sa është sqaruar në disa media dhe portale, Gjykata e Apelit nuk ka vendosur prishjen e vendimit të gjyqtarit Zhukri, por është pranuar ankimi nga një palë që pretendon që përfaqëson Partinë Demokratike.

Me provat që janë në dosjen gjyqësore, nuk mund të mos njihet statuti i 11 dhjetorit.

I ashtuquajturi ankim nuk përmbush asnjë nga kriteret ligjore, personi që ka paraqitur kërkesën nuk është palë, dhe as përfaqësues legjitim të ndonjë pale për shqyrtimin e çështjes.

Në bazë të ligjit, Gjykata duhej sot vetëm të verifikonte nëse ankimi është firmosur nga pala e autorizuar dhe sipas vendimmarrjeve të njëpasnjëshme të Gjykatës së Lartë, Apeli duhet të rrëzonte këtë kërkesë.

Limiti standard është mbajtur nga gjyqtarja Blerina Muça, kërkesa jonë për të qenë pjesë e procesit në Kuvendin e Korrikut, ajo e refuzoi, edhe sot bëri të njëjtën gjë.

Nuk është ky vendimi i parë i marrë nga Gjykata e Tiranës, këto palë nuk duhet as të merren në shqyrtim e jo më të pranohet kërkesa e tyre. Pala që përfaqësohet nga deputeti Alibeaj nuk ka qenë palë në proces dhe si e tillë nuk legjitimohet. Ky vendim është pranuar dhe vetë nga pala e cila sot pretendon se ka të drejtë të ankimojë”, tha Kaso.