Peticioni “fletërrufe” kundër Ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim mesa duket është i nxitur nga Sali Berisha. Ndonëse, Yuri Kim ka dalë hapur kundër Sali Berishës të shpallur “Non Grata” nga SHBA, ky i fundit në luftën që i ka shpallur diplomates, deri tani ishte fshehur ndaj anonimëve të tij të cilët duket se janë shtuar tani, me iluzionin që kanë se Berisha ka rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike. Por vetë të besuarit e tij e kanë nxjerrë zbuluar. Deputeti i PD-së Edi Paloka i ftuar në një intervistë televizive zbuloi se ky peticion është firmosur dhe nga vetë Sali Berisha. Pra, ata me Berishën në krye mendojnë se mund ta largojnë ambasadoren Kim me peticione online, ndërkohë që Departamenti Amerikan i Shtetit është shprehur qartë se qëndrimet e ambasadores nuk janë personale, por përfaqësojnë Uashingtonin zyrtar. Dhe normalisht, ata që frymëzojnë peticione të tilla e dinë kaq gjë, por e bëjnë këtë, për të banalizuar debatin e shpalljes “Non Grata” të Sali Berishës, duke thënë që edhe Yuri Kim është shpallur “Non Grata” nga demokratët e Shqipërisë. Lideri i PD-së ka akuzuar herë pas here ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim duke thënë se deklarata e saj, janë qëndrime personale të saj dhe jo të SHBA-së, duke thënë se do të ankohet. Kim e ka bërë të qartë se nuk do të bashkëpunojë me një “Non Grata” si edhe duke e theksuar se nëse ai rimerr drejtimin e PD-së do e ndjekë i njëjti fat, izolim total me SHBA. Vetë Berisha ka kërkuar largimin e saj, si edhe të mos ndërhyjë në punët e brendshme të shtetit.

Paloka: 90% e deputetëve duan rikthimin e Berishës në grup

Teksa Paloka konfirmoi firmën e Berishës për peticionin, ai tha se 90% e deputetëve që mbështetën Bashën, tani duan rikthimin e ish-kryeministrit në grup. Ajo që ka ndodhur është se 90% e atyre që quheshin mbështetës të Bashës, futjen e Berishës në grup e kanë bërë të qartë. Pyeti a jeni dakord që Sali Berisha të kthehet në grup. Kush e ndalon? Ne jemi pjesë e grupit. Nuk na ka përjashtuar kush ne. Kuvendi ka shkelur ligjin sepse Edi Rama dhe Taulant Balla mbështesin Bashën dhe Alibeajn. Nuk mund të vendosë Lindita Nikolla apo dikush tjetër të thotë që nuk je pjesë e grupit parlamentar”, tha Paloka. Gjithashtu ai, ka folur në lidhje me Kuvendin Kombëtar që do të mbahet me 30 prill. Paloka tregoi se si do të jetë agjenda e këtij Kuvendi. Ai tha se fillimisht do të nisin me disa ndryshime statutore dhe më pas do të fillojnë fjalimet dhe diskutimet mes anëtarëve të PD-së. “Gjithëpërfshirja që nga moment i parë që kur kemi hapur këtë proces. Pas 6 marsit, ne kemi kërkuar gjithëpërfshirjen në këtë proces dhe të atyre që më deri më 6 mars kishin një pozicion tjetër. Një nga arsyet që shtymë dhe Kuvendin e 22 marsit, ishte pikërisht përfshirja e asaj pjese që deri në atë moment nuk ishte e përfshirë në këtë proces. Më 30 prill do të nisim me disa ndryshime statutore,të cilat kanë si qëllim kryesor përfshirjen jo vetëm të deputetëve që ishin në mbështetje të Bashës, por edhe disa rregullime të tjera që kanë ardhur si propozime qoftë nga baza”, tha Paloka. Deputeti i PD u shpreh se një ndryshim në statutin e PD, do të jetë përfshirja e të gjithë deputetëve.

Pazari për presidentin është mbyllur mes Kim, Alibeajt dhe Ballës

Edi Paloka ka theksuar se nuk do të bëhen pjesë në procesin për zgjedhjen e presidentit, pasi sipas tij është një farsë e Edi Ramës. Ai tha se Rama i ka votat për të zgjedhur presidentin, ndërsa shtoi se pazari për zgjedhjen e kreut të shtetit pas ikjes së Ilir Metës është mbyllur në takimet që kanë zhvilluar Yuri Kim, Taulant Balla dhe Enkelejd Alibeaj. “Ne e kemi deklaruar se nuk do të bëhemi pjesë e asnjë procesi, që e drejton Edi Rama, siç po ndodh me farsën për zgjedhjen e presidentit. Edi Rama e ka caktuar pre kohësh se kush do të jetë president. I ka dhe votat për ta zgjedhur dhe këtu mbyllet kjo histori. Pjesa tjetër është shoë, farsë, dhe Rama mesa duket kërkon që të krijojë idenë sikur presidenti që do dalë do të jetë konsensual midis mazhorancës dhe opozitës. Dhe për këtë arsye ka zgjedhe dhe ka emëruar si opozitë Enkelejd Alibeajn dhe ata që i shkojnë pas. Pazari për presidentin është mbyllur kur zhvilloheshin takimet e ambasadores Yuri Kim me Alibeajn dhe Taulant Ballën. Tashmë po bëhet thjesht një lojë”, deklaroi ai.

Paloka: Rama me anë të presionit kërkon emërimin e opozitës

Deputeti Edi Paloka, i pyetur se nëse do të ndikojë vendimi i Gjykatës pasi kjo e fundit pranoi animimin e Enkelejd Alibeaj për rrëzimin e Kuvendit të 11 dhjetorit, tha se Sali Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit janë shumica absolute në PD. Në një intervistë për mediat, Paloka tha se Edi Rama me presionin që përdorë kërkon që të emërojë opozitën dhe Enkelejd Alibeajn. “Sali Berisha dhe Rithemelimi, janë shumica absolute në PD. U konfirmua në çdo mënyrë ajo që ishte thënë edhe më parë, por që mori konfirmimin përfundimtar më 6 mars, që shumica e PD-së, ishte pozicionuar me Komisionin e Rithemelimit. Dhe nëse Edi Rama duke përdorur mekanizmat e presionit do kërkojë që ta emërojë opozitën, siç ka bërë dhe siç është shprehur qartazi edhe në këto ditët e fundit. E ka thënë Rama, nëkëmbëshi i tij Balla se nuk njohin dhe nuk duan opozitë Sali Berishën. Duan në opozitë Enkelejd Alibeajn. Pra kemi të bëjmë me një emërim të opozitës nga pushteti dhe kjo mund të shkojë mbase edhe në Gjykatë. Unë kurrë nuk e kam konsideruar vendimin e Gjykatës si gjënë më të rëndësishme në këtë aspekt. Nuk është as Gjykata, as ambasadorët dhe askush tjetër që të vendos se kush është PD-ja dhe nga kush do të drejtohet”, u shpreh ai. Ndërkohë ai tha se çfarëdo lloj vendimi që të marrë Gjykata që sipas tij është nënpresionin e Ramës dhe ambasadorëve nuk ka asnjë vlerë. “Çfarëdo lloj vendimi që të marrë një Gjykatë e kontrolluar nga Rama apo e urdhëruar dhe nën presionin e ambasadorëve asnjë vlerë nuk ka praktike. PD nuk është një copë letër me bojë sipër. Janë anëtarët që e bëjnë PD-në”, nënvizoi Paloka.