Pak para nisjes së Kongresit të PS-së, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, nga panelin Rajoni, Europa, Siguria tha se Shqipëria është eksportues sigurie në misionet paqeruajtëse dhe faktor stabiliteti në rajon.

Sipas Peleshit, çdo cm² i Shqipërisë është i sigurt dhe i mbrojtur nga parimi i mbrojtjes kolektive se NATO-s.

“Vokacioni historikisht perëndimor i shqiptarëve u materializua 13 vjet më parë me anëtarësimin në NATO. Sot Shqipëria është eksportues sigurie në misionet paqeruajtëse dhe faktor stabiliteti në rajon. Rreth 8000 efektivë të FA kanë shërbyer në misionet e NATO, BE, OKB, nga Afganistani, Iraku, Letonia, Mali, Sudani e deri në Bosnje-Hercegovinë e padyshim në Kosovë. Këtë vit nisi puna për jetësimin e Bazës Taktike Ajrore të NATO-s në Kuçovë. Në mars u hap në Shqipëri Shtabi i Përparuar i Forcave të Operacioneve Speciale amerikane në Europë. Vitin e kaluar Shqipëria u bë vendi pritës i “Defender 21”, stërvitjes më të madhe të zhvilluar në 30 vitet e fundit në rajon. Si asnjëherë më parë, FA ndërvepruan me rreth 6000 forca amerikane dhe të vendeve të tjera të NATO-ë. Si rezultat i agresionit rus, mjedisi i sigurisë në Evropë dhe në kufirin lindor të Aleancës është i kërcënuar dhe i paparashikueshëm. Çdo cm² i Shqipërisë është i sigurt dhe i mbrojtur nga parimi i mbrojtjes kolektive se NATO-s. Zhvillimet e fundit e kanë forcuar unitetin e Aleancës në mbrojtje të hapësirës së përbashkët dhe sovranitetit të vendeve anëtare. Forcat e Armatosura duhet të përmbushin detyrat që burojnë nga NATO. FA duhet të jenë të afta të përmbushin detyrimet që burojnë nga misioni kushtetues për ruajtjen e integritetit territorial të vendit”, tha Peleshi.