Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka zbuluar se në Kongresin e Partisë Socialiste do të bëhet një paraqitje e rezultateve të punës së bërë nga kabineti deri më tani.
Në një intervistë për emisionin “Frontline” në Neës24, Spiropali u shpreh se përveç rezultateve, do të lihen edhe detyra të reja në zgjedhjet e kryetarëve të partisë si pjesë e një faze organizimi brenda PS-së.
*Spiropali:* Do ketë një paraqitje të rezultateve dhe të punës që është bërë deri më tani. Sekretari i Përgjithshëm e ka këtë detyrë. Përveç rezultateve, do lihen dhe detyra të reja, siç do flitet për zgjedhjet e kryetarëve të partisë në këtë fazë të re të organizimit. Zgjedhja e tyre. Libri i rregullave mbi të cilin kryetarët e partisë do zgjidhen. Kjo është një detyrë që duhet të përfundojë një muaj pas ndryshimeve në statut. Përveç ndryshimeve në statut, edhe nevoja për energjizimin dhe politizimin, po e them të strukturave të partisë në territor që të kemi një parti që mund të përballojë një fushatë elektorale.
Ky nuk është neni Rama, as mund të krahasohet me nenin Basha pasi kemi të bëjmë me fitore dhe humbje. Të gjitha partitë funksionale në botë e kanë fitoren e zgjedhjeve elektorale si kriter të parë për vlerësimin e një lideri dhe udhëheqësi. Kemi të bëjmë me një udhëheqës partie që na ka çuar në tre fitore rresht në zgjedhje të përgjithshme, dhe ka fituar një mandat të tretë që është historik.
Këto ndryshime që pritet të realizohen në Kongres, sipas ministres Spiropali do të jenë edhe në funksion të fitores së një mandati të katërt.
Gazetarja: Mandati i katërt, po përgatitet për një mandat të katërt?
*Spiropali:* Pse jo. Edhe në funksion të zgjedhjeve të përgjithshme është ky Kongres, siç do ketë të tjerë pas tij. Nuk mendojmë se numri rendor i mandateve varet nga dëshira e njërit apo tjetrit, siç shpesh dëgjonim zotin Basha apo këdo tjetër që përsëriste deri në dëshpërim ‘Rama ik’. Rama ik me votë, Rama ik kur nuk fiton, patjetër. Por është e qartë se një forcë fituese, një forcë udhëheqëse duhet të marrë besim, dhe për të marrë besim duhet të ndryshojë, të përmirësohet, të vetkorrigjohet. Kemi dy modele të kundërta, nga modeli i blindit, modeli i skrapit, modeli i mbylljes, modeli i sulmit dhe qysqive, kemi një model hapje.
Po nga modeli i rikthimit në krye të Partisë Demokratike të zotit Berisha?
*Spiropali:* Zi e më zi. Nga shiu në breshër, duan të vënë vetulla, nxjerrin sytë. Ne nuk e bëjmë dot këtë analizë në Kongres. Nuk mund të jemi cinik me opozitën. Na takon të shohim veten tonë dhe të jemi versioni më i mirë i vetes.
Ka shance për ndryshime në qeveri?
*Spiropali:* Është normale që në Asamble e Kongrese ku janë drejtuesit e PS-së dhe ata që na përfaqësojnë në territor, të shpaloset vizioni qeverisë edhe emrat. Ky Kongres në gjykimin tim nuk e ka këtë qëllim. Është një kongres me një fokus tjetër.