Në panelin për Bujqësinë dhe Sigurinë Ushqimore, tha fjalën e saj edhe një studente nga Universitetit Bujqësor, për të treguar një eksperiencë ndryshe dhe për t’u bërë një zë për maturantët që të zgjedhin degët e bujqësisë.

“Kam gjithmonë në mendje fjalët e rektorit të Universitetit Bujqësor, i cili na ka thënë se në këtë Shqipërinë tonë të vogël, nuk kemi fuqinë për të ndërtuar aeroplanë, po ne kemi tokën dhe gjithë potencialin tonë duhet ta vendosim mbi tokën. Dhe ky potencial është tek të rinjtë, të cilët duhet t’i kthejnë sytë nga bujqësia.” u shpreh studentja.

Më tej studentja i drejtohet të gjithë maturantëve: “Sot kemi një bujqësi të qëndrueshme, që përdor teknologjitë më të reja të momentit dhe ku prodhimi vendas është i lartë. Çdo proces agronomik do ketë nevojën për një specialit të kualifikuar. Nëse doni të zgjidhni për një mundësi për vetën, nëse doni të bashkëpunoni më universitetet më të mira të botës, atëherë zgjidhja është Universiteti Bujqësor i Tiranës.”

Studentja u shpreh se edhe pse mjedisi, siguria ushqimore dhe bujqësia nuk janë degë që janë trend në vend dhe që zgjidhen nga maturantet, vëmendja e Kryeministrit dhe Ministres Krifca ka qenë maksimale për ta promovuar më shumë dhe ftuar të gjithë të rinjtë ta përqendrojnë të ardhmen e tyre në këtë fushë.