Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili është i pranishëm në një prej 5 paneleve të hapura për publikun në Kongresin e Partisë Socialiste ka deklaruar se në hapësirën e dedikuar për rininë, inovacionin dhe fëmijët, ku ai së bashku me ministren Bora Muzhaqi do të moderojnë panelin, temat që do diskutohen do të jenë kryesisht ato që prekin sfidat e të ardhmes, që kanë të bëjnë me transportin dhe strategjitë e reja të mjedisit.
“Duam të promovojmë ato risi që besoj janë punët e të ardhmes siç janë transporti elektrik, transporti me biçikleta turizmi i aventurës, shumë iniciativa ekologjike që ne kemi për strategjitë tona të reja të mjedisit, për riciklimin, kështu që duam shumë që ky të jetë realisht një panair qytetar.
Kemi disa politika që për herë të parë po i aplikojmë. Siç e dini në 30 vite ne kurrë nuk kemi bërë subvencionim të transportit sepse kemi thënë ne japim licencën caktojmë çmimin, ti tani je privat, në një moment kur rritet çmimi i naftës e nuk varet nga ne atëherë duhet të ndërhyjmë. Kështu që fillimisht filloi bashkia tani dhe qeveria për subvencionimin e transportit urban e interurban.
Por duhet të pranojmë që Hollanda apo Danimarka nuk bënë vende të transportit të qëndrueshëm prej emancipimit ose prej të menduarit progresiv, ishte dhe ajo, pro në fakt ndodhi prej krizës së naftës në vitet 70. Kështu që për ti shpëtuar një burse që njëherë ngrihen njëherë ulen mendua që qytetet ishin më të qëndrueshme nëse ne fokusohemi në korsi biçikletash dhe një transporti publik i cili e josh dikë, të lërë makinën sidomos për distanca të vogla. Kështu që këtu do flasim për këto çështje,” u shpreh Veliaj në një intervistë për “News 24”.
Në pjesën e parë të Kongresit do të jenë 5 panele:
-Rinia, Inovacioni, Fëmijët, në hapësirën mes Sheshit Italia dhe Sheshit Nënë Tereza
-Rajoni, Europa, Siguria i vendosur në Holli i Pallatit të Kongreseve
-Bujqësia dhe Siguria Ushqimore, në Sheshin Nënë Tereza
-Energjia, Mobiliteti, Mjedisi, te Sheshi Italia
-Shëndetësia dhe Mbrojtja Sociale në hapësirën para hyrjes së Pallatit të Kongreseve