Nga Mero Baze

Brenda grupit parlamentar të demokratëve ka nisur një garë kush të ofrojë platformën më të mirë për tu “bashkuar”. Të gjithë ata që paraqesin platforma nga ana e Berishës, bëjnë “lëshime” por duan Berishën kryetar. Të gjithë të tjerët që nuk janë me Berishën, bëjnë dhe ata “lëshime” por jo për Berishën. Pra siç shikohet dhe nga “platformat”, problemi nuk është PD por Berisha.

Çdo propozim rrëzohet pikërisht për shkak të Berishës. Kësisoj ato nuk vlejnë si propozime për të bashkuar PD, por si propozime për të zgjidhur hallin e Berishës.

Si të tilla janë të kota, pasi Berisha I merr vet vendimet për vete në raport me PD. E vetmja gjë që vlen është që dhe të tjerët ti marrin vet vendimet në raport me Berishën. Në këtë pikë I vetmi pozicionim apo debat publik është nëse dikush pranon të rrije me Berishën në një parti apo jo. Të tjerat janë debate pa vlerë për shumë arsye.

Arsyeja e parë është se tani nuk jemi më 9 Shtator, kur beteja e Berishës për tu rikthyer në PD maskohej pas luftës ndaj Bashës e më pas ndaj “demokratizimit” të PD. Tani jemi të qartë që beteja ndaj Bashës ishte maskim I betejës kundër SHBA dhe “demokratizimi” I PD ishte shtegu që Berisha kërkonte të hapte për tu rikthyer në krye të saj. Ky iluzion tani ka vdekur. Edhe ata që e mbështetën Berishën po e shikojnë që ai u tall me ta për çdo gjë, përveç qëllimit të tij për tu rikthyer me çdo mjet në krye të PD.

Arsyeja e dytë pse debati duhet mbajtur vetëm rreth qëndrimit ndaj Berishës ka të bëj me faktin se ardhja e tij në krye të PD e bën atë një parti humbëse, të izoluar dhe një regres dhe për imazhin e Shqipërisë. Iluzioni se Berisha do amnistohet nga SHBA nëse ngjitet në krye të PD është një gënjeshtër dhe më e trash por dhe më rrezikshme se gënjeshtrat e fazës së parë, pasi kërkon ti jap kohë Berishës sa të jetë gjallë të lërë në pritje demokratët dhe kur të vdes si “non grata” pastaj të dëgjojnë shpjegimet e fëmijëve të tij, se ëndrra e tij do mbetet e gjallë dhe në botën tjetër.

Arsyeja e tretë pse debati ka lidhje vetëm me Berishën është dhe kombëtar. Sali Berisha po bëhet një pol antiamerikanizmi në Shqipëri jo vetëm në kuptimin gjeopolitik, por dhe kuptimin elektoral, pasi po tërheq rreth vetes gjithë shtresat problematike të shoqërisë, që shikojnë tek politika e ndëshkimeve perëndimore një rrezik personal. Rrotull tij po mblidhen trafikant, vrasës, zyrtarë të korruptuar dhe pa diskutim gjithë budallenjtë dhe të çmendurit e këtij vendi, për të cilët është një magjistarë I vërtet. Ai është sot gropa septike më e madhe e vendit, duke tërhequr pas vetes jo më demokratët e Shqipërisë por llumin e saj. Dhe kjo do të mjaftonte dhe si arsye. E vetme që brenda opozitës njerëzit të merrnin pozicion kundrejt atij dhe jo të harxhojnë kohën kot me platforma që bëjnë sikur dua të dalin nga rrethi vicioz. Nuk ka asgjë të paqartë brenda PD. Kush dëshiron të nënshtrohet duhet të pranoj Berishën, të tjerët duhet të shpëtojnë PD prej tij.