Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca, në fjalën e mbajtur në panelin e Kongresit të PS foli për rëndësinë që ka ky sektor, vëmendjen e shtuar nga qeveria dhe mbështetjen financiare për fermerët.
Krifca tha se: “Bujqësia shqiptare po punon, prodhon dhe punon shumë dhe ky manifestim sot është dëshmi e kësaj pune.
Fermerëve dhe peshkatarëve u jemi gjendur pranë në mbështetje të drejtpërdrejtë me buxhetin më të madh të vënë në dispozicion ndonjëherë në bujqësi. Jemi me 3.7 miliardë lekë. Nuk janë dhënë kurrë në vit nga buxheti i shtetit në 30 vite demokraci kaq mbështetje për bujqësinë.”
“Ndërsa flasim, qeveria po shpërndan 12 milionë litra naftë. Janë 4 herë më shumë sesa një vit më parë tek gati 50 mijë fermerë. Çdo fermer do të përfitojë deri në 400 mijë lekë të reja për hektar, kultivim në sera. Kultivuesit e bimëve aromatike do të përfitojnë deri ne 60 mijë lekë të reja për hektar për çdo kultivim.” u shpreh ministrja.