Kryetari i bashkisë së qytetit port të Mariupolit në Ukrainë tha të hënën se më shumë se 10 mijë civilë kanë vdekur gjatë rrethimit rus të qytetit dhe se numri i viktimave mund të shkojë deri në 20 mijë me “kufomat që dergjen rrugëve” të qytetit.

Duke folur me telefon të hënën me agjencinë Associated Press, kryebashkiaku Vadym Boychenko tha gjithashtu se forcat ruse sollën pajisje të lëvizshme krematoriumi në qytet për të asgjesuar kufomat. Ai akuzoi forcat ruse për refuzimin e lejimit të autokolonave humanitare në qytet në një përpjekje për të fshehur masakrën.

Ndërkohë, Rusia pretendon të ketë shkatërruar disa sisteme të mbrojtjes ajrore ukrainase në atë që dukej të jetë një përpjekje e re për të fituar epërsi ajrore dhe për të shkatërruar mjetet që Kievi i ka cilësuar si vendimtare përpara një ofensive të re të pritshme në lindje.